Ministrja e Punëve të Jashtme dhe e Diasporës e Kosovës, Meliza Haradinaj-Stublla, sot në Berlin është pritur në takim nga Christina Beinhoff, zëvendës shefe e Parë për Punë të Jashtme dhe Siguri në Zyrën e kancelares Angela Merkel.
Ajo gjatë këtij takimi ka diskutuar për liberalizimin e vizave dhe dialogun me Serbinë, duke kërkuar edhe njëherë rolin aktiv të kancelares Merkel për t’i dhënë drejtimin e domosdoshëm strategjik epilogut të tyre.
“E drejta e fituar e Kosovës për lëvizje të lirë duhet të formalizohet sa më parë, dhe dialogu me Serbinë nuk ka epilog tjetër pos njohjes reciproke në kufijtë ekzistues, dhe sipas rendit aktual Kushtetues, si parime të panegociueshme”, tha Haradinaj-Stublla.
Shefja e diplomacisë kosovare, e cila në Berlin po qëndron për vizitë dyditore me ftesë të homologut Heiko Maas, në emër të Republikës së Kosovës ka falënderuar Gjermaninë që vazhdon të jetë aleatja më e fuqishme e Kosovës në Evropë.