Ministrja në detyrë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Meliza Haradinaj – Stublla, ka zhvilluar një bisedë telefonike, shumë miqësore, me ministren e Shtetit për Bashkëpunim Ndërkombëtar të Emirateve të Bashkuara Arabe, Reem Ebrahim Al Hashimy.
Shefja e diplomacisë kosovare bëri të ditur se gjatë kësaj bisede është diskutuar për thellimin e mëtejmë të marrëdhënieve midis Kosovës dhe Emirateve, përmes implementimit të marrëveshjes për bashkëpunim ekonomik si edhe projekteve të investimit.
“Emiratet e Bashkuara Arabe janë një partner i ardhshëm ekonomik, që do të zbulojë potencialin e vendit e rinisë sonë të mrekullueshme, për zhvillim të qëndrueshëm ekonomik dhe shkëmbime në fusha të interesit të përbashkët”, tha Haradinaj-Stublla, thuhet në njoftimin për media.
Sipas saj, këtë potencial Kosova synon ta kapitalizojë përmes pjesëmarrjes në ngjarjen më spektakolare të shekullit “Dubai Expo 2020”.
Haradinaj-Stublla dhe Al Hashimy kanë biseduar edhe për zhvillimet politike rajonale.
Me këtë rast, shefja e diplomacisë kosovare tha se Kosova dhe Emiratet e Bashkuara Arabe janë faktor paqeje e stabilitetin në rajonet respektive, së fundi duke jetëzuar marrëdhëniet me Shtetin e Izraelit përmes angazhimit të përbashkët me partnerin e madh, Shtetet e Bashkuara të Amerikës.