Shefi i Grupit parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Daut Haradinaj, ka thënë se reflektimi i liderit të VV-së Albin Kurti në raport me luftën e UÇK-së, duhet kuptuar drejt, sado që sipas tij, kjo nuk i pëlqen dikujt.
Haradinaj ka folur pasi Kurti ka thënë se mbrojtja e të akuzuarve të Specialës duhet të organizohet nga Qeveria.
“Mendoj se kjo është edhe e vërteta e luftës sonë për liri, pra UÇK ishte populli e populli ishte UÇK. Mediat që po i japin hapësirë të shtuar sakrificës së popullit tonë, dhe krimeve serbe të kryera mbi ne, meritojnë një respekt të madh”, ka shkruar Haradinaj në Facebook.
Ditëve të fundit, parti dhe media të ndryshme kanë kritikuar Kurtin, për siç kanë thënë “ndryshim të qëndrimit në raport me Gjykatën Speciale dhe të akuzuarit e saj”.
Në fakt, Kurti dhe VV-ja kanë votuar kundër themelimit të kësaj gjykate më 2015./FrontOnline/