Kryetari i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Daut Haradinaj, ka deklaruar se partia e tij ka qenë dhe do jetë e gatshme për votimin e Projektligjit për Rimëkëmbje Ekonomike.
Haradinaj, ka thënë se për votim të këtij projektligjit, njërit nga deputetëve të tij i janë dashur t’i ndërrojë pesë aeroplana.
“Në asnjë seancë nuk kemi mungu asnjë deputet. Pesë aeroplana i ka ndërru një deputet për me mbërri me e votu Projektligjin për Rimëkëmbje Ekonomike”, ka thënë ai.
Tutje, kreu i GP’së së AAK’së ka folur edhe lidhur me gjendjen e krijuar në koalicionin qeverisës të legjislaturës së shtatë.
“Ne i kemi numrat për me e kalu çdo ligj, është krejt diçka tjetër se çfarë komunikimi po ka z. Hoti me partnerët e tjerë të koalicionit. Nuk besoj se Lista Serbe po e bllokon votimin e Projektligjit për Rimëkëmbje Ekonimike. Nuk besoj se ky koalicion ka krizë në numra”, ka thënë ai.
Deputeti i Kosovës ka folur edhe për heshtjen e BE’së karshi gjetjeve të varrezave masive të shqiptarëve të vrarë përgjatë luftës të fshehura në Serbi.
“Nuk ka reagim prej ndërkombëtarëve për varrezat masive në Serbi. Kjo po e shfaq një përkëdhelje të BE-së ndaj Serbisë”, vlerësoi ai.