Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka deklaruar se nëse merr drejtimin e Qeverisë pas zgjedhjeve të 9 shkurtit, do ta dorëzojë menjëherë draftstatutin (evropian) të Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Gjykatën Kushtetuese.
Haradinaj theksoi se dinamika ndërkombëtare dhe zhvillimet e sigurisë globale nuk lejojnë vonesa në këtë proces.
Ai u shpreh i bindur se Gjykata Kushtetuese, si “gardiane e Kushtetutës” do të pastrojë çdo draftin e Asociacionit nga çdo element që mund të jetë në kundërshtim me Kushtetutën e vendit.
Ai theksoi se ky hap do të zhbllokojë proceset integruese të Kosovës në organizata ndërkombëtare si Këshilli i Evropës, Bashkimi Evropian dhe NATO.
“Menjëherë ne do ta marrim Këshillin e Evropës, kandidaturën për BE dhe po ashtu sikurse iu thash mbështetjen për anëtarësim direkt në NATO”, ka potencuar Haradinaj.
Në linjë të kësaj, Haradinaj përmendi se ka punuar në mënyrë aktive për këtë, duke thënë se një propozim konkret tashmë ndodhet në tavolinën e administratës Trump dhe ka marrë një përgjigje pozitive.
“Unë kam punuar që vendimmarrësve të ardhshëm të administratës Trump, një propozim konkret ua kam dërguar në tavolinë. Për këtë temë veçse e kanë në tavolinë. Janë pranuar, janë mirëprit… Krejt këto që i diskojmë sot kam qenë i detyruar mi kthye në format të shkruar, preciz me dhënë garanci që u qëndroj pas. Në disa raste kam folur në emër të qeverisë së ardhshme të Kosovës, besoj që kemi me qenë bashkë”, ka shtuar Haradinaj. /Dukagjini/