Kandidati për kryeministër i koalicionit AAK, Nisma, Lista Konservatore, Forumi Intelektual E-30 dhe Lista Ideal, Ramush Haradinaj, thotë se Kosovës me patjetër i duhet një aeroport alternativ për fluturime emergjente.
Dhe këto kritere sipas tij, i plotëson më së miri Aeroporti i Gjakovës. Sipas Haradinajt, ky veprim do të bënte që udhëtarët në raste emergjent të mos kenë më nevojë të aterojnë në Beograd apo Shkup.
“Kosova patjetër duhet ta ketë një aeroport alternativ për fluturime emergjente, në mënyrë që udhëtarët e saj të mos vijnë në situatë – që në pamundësi për të ateruar në Aeroportin e Prishtinës – të aterojnë në Beograd dhe Shkup”, ka shkruar Haradinaj.
Për këtë qëllim, Haradinaj premton përshtatjen e Aeroportit të Gjakovës, për të shërbyer si pikë strategjike për funksionalitetin e trafikut ajror.
“Kjo përshtatje do të arrihet me një investim të përballueshëm për buxhetin. Angazhimi ynë për ta shndërruar këtë aset në një pikë të rëndësishme të infrastrukturës së sigurisë kombëtare është pjesë e vizionit të Kosovës Fituese”, tha ai.