Hapja e qendrave të reja shëndetësore, veçanërisht në këtë periudhë të kërkesës së shtuar për hapësira shëndetësore me qëllim tejkalimin e situatës epidemiologjike, ka gëzuar mantelbardhët e mjekësisë primare, infermierët e drejtuesit e Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare në Ferizaj.
I tillë është edhe projekti i cili sot u përurua për hapjen e Qendrës së Mjekësisë Familjare në Dardani të Ferizajt.
Për të përuruar këtë objekt, në mesin e mjekëve dhe infermierëve, doli i pari i Ferizajt, Agim Aliu bashkë me nënkryetarin e Komunës, Arton Gavazi, drejtorin e Shëndetësisë, Bekim Ademi, drejtorë tjerë komunal si dhe drejtues e stafi në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Ferizaj.
Një objekt me hapësira të gjera, me kushte e standarde të avancuara për ofrimin e shërbimeve shëndetësore, kjo qendër do të absorboj një numër të madh të nevojave për trajtim shëndetësor të banorëve nga fshatrat Dardani, Zllatar, Mirosalë, Sojevë e të tjera të afërta.
Drejtori i Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Bekim Ademi tha se rreth 10,000 banorë kanë mundësinë të marrin shërbimet shëndetësore tani e tutje në këtë qendër.
“Është qendër jashtëzakonisht funksionale e cila do të ketë përpos mjekut familjar dhe stafit të mesëm infermierik edhe stomatologun dhe laboratorin ku qytetarët e kësaj pjese më nuk kanë nevojë të vijnë në Ferizaj për të kryer një shërbim mjekësor apo stomatologjik, por të gjitha do t’i marrin në këtë qendër dhe përpos që do ta shkurtojmë kohën, do t’i kursejmë edhe nga mundi qytetarët. Është qendër jashtëzakonisht funksionale dhe në shërbim të qytetarëve të kësaj pjese” tha drejtori i Shëndetësisë, Bekim Ademi.