Ministria e Financave ka bërë të ditur ka filluar aplikimi elektronik për njohjen e statusit të personave paraplegjikë dhe tetraplegjikë.
Në njoftimin e lëshuar për media thuhet se për herë të parë me qëllim lehtësimin e procesit të aplikimit dhe shmangien e procedurave burokratike për njohjen e statusit të personave paraplegjikë dhe tetraplegjikë, MFPT ka krijuar mundësinë e aplikimit elektronik.
“Kujtojmë se me rregulloren e re të miratuar në muajin gusht të këtij viti, thjeshtëzohet vlerësimi, i cili tash mund të realizohet në mënyrë më të shpejtë duke evituar procedurat burokratike si dhe evitohen rivlerësimet të cilat shkaktonin që personat paraplegjikë dhe tetraplegjikë, të dilnin nga skema si rrjedhojë e vonesave në rivlerësim”.
“Poashtu, është mundësuar që vlerësimi të kryhet në shtëpi nga ekipet në terren, kur gjendja e personit e bën të pamundur paraqitjen fizike. Ndërsa, në rastet kur dokumentacioni mjekësor është i mjaftueshëm, personi nuk ka nevojë të paraqitet fare për vlerësim”, thuhet në njoftim.
Aplikimi mund të bëhet përmes platformës: https://ekosova.rks-gov.net/567.
Më poshtë keni sqarimin se si duhet të aplikoni: Për të aplikuar, fillimisht klikoni butonin “Shërbimet,” pastaj zgjedhni “Familja” dhe aty do të gjeni formularin e aplikimit, “Kërkesë për njohjen e statusit të personave paraplegjikë dhe tetraplegjikë.”
Pasi të plotësoni të dhënat personale dhe të ngarkoni dokumentacionin e nevojshëm, klikoni butonin “Dërgo.” Aplikimi do të shqyrtohet nga komisioni i mjekëve të kontraktuar nga Ministria të cilët do të ju informojnë për hapat e mëtejshëm.