Kandidati për kryeministër i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza ka pritur sot dy diplomatë të lartë norvegjez, Eirik Nestås Mathisen dhe ambasadorin Haakon Blankenborg.
Hamza tha se me diplomatët ka biseduar për punën e përbashkët dhe se synimi i tij është zhvillimi i ekonomisë, shëndetësisë, arsimit dhe i sektorëve që përmirësojnë mirëqenien e qytetarëve.
“Me dy diplomatët e lartë të Norvegjisë, përfaqësuesin e veçantë për Ballkanin Perëndimor z. Eirik Nestås Mathisen dhe ambasadorin z. Haakon Blankenborg, sot biseduam për punën e përbashkët që na pret. Synimi im është zhvillimi i ekonomisë, shëndetësisë, arsimit dhe i sektorëve që përmirësojnë mirëqenien e qytetarëve tanë. Ne të gjithë e duam një Kosovë në paqe e prosperitet, në rrugë të sigurt të integrimit në BE dhe NATO. Ky është interesi i qytetarëve dhe i shtetit të Kosovës.”, ka shkruar ai.
Ai tha se Kosova ka pasur përkrahjen e Norvegjisë.
“Për këtë u jemi përherë mirënjohës dhe i gëzohemi mundësisë që ta vazhdojmë bashkëpunimin me miqtë tanë norvegjezë.”, është shprehur ai.