Kandidati i PDK-së për kryeministër, Bedri Hamza ka vizituar Gjilanin, ku ka premtuar se do të mbështes bizneset dhe punëtorët.
Ai premton për grante investive deri në 30 për qind të shumë totale të investimit, pagesë të TVSH-së në Kosovë e jo më në kufi, thotë se bizneset me mbi 500 mijë euro investime të reja apo që punësojnë mbi 50 punëtorë do të lirohen nga tatimi në fitim për periudha të caktuara kohore, e ndër të tjera edhe themelimin e Bursës së Kosovës.
“Në Gjilan dhe gjithandej Kosovës, unë do t’i mbështes bizneset dhe punëtorët, sepse ekonomia jonë varet nga suksesi i tyre. Grante investive deri në 30% të shumës totale të investimit. Pagesa e TVSH-së në brendi të Kosovës, jo më në kufi. Bizneset me mbi 500 mijë euro investime të reja apo që punësojnë mbi 50 punëtorë do të lirohen nga tatimi në fitim për periudha të caktuara kohore”.
“Nuk do të tatohen bizneset e vogla me qarkullim deri në 10 mijë euro. Zvogëlohet barra tatimore në të ardhurat personale. Zgjerohet Fondi i Garantimit të Kredive të Kosovës (FGKK). Themelohet Bursa e Kosovës. Fondi i Punësimit dhe Programi i Shkathtësive”, ka shkruar Hamza në Facebook.
“Ndryshohet ligji aktual për tatimin në pronë, që të sigurohet barrë e përballueshme tatimore për familjet dhe bizneset. Kosova mundet ma mirë!”.