Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Xhavit Haliti, i ka komentuar deklaratat e ambasadorit amerikan, Jeffrey Hovenier, i cili javën e kaluar i tha Qeverisë së Kosovës që të mos urinojë përpara klubit ku do të hyjë.
Haliti tha se ky ishte një mesazh shumë i rëndë për qeverinë e vendit, por sipas tij, ishte mesazh i domosdoshëm.
“Ishte një mesazh shumë i rëndë për qeverinë, por i domosdoshëm, nga këndvështrimi i Amerikës, që kanë pjesën e tyre këtu, pjesën e luftës dhe veprimit për t’i shpëtuar kosovarët nga gjenocidi serb”.
“Ne, kur shkojmë atje u themi se ‘gjithçka është në rregull’, dhe kur kthehemi këtu u themi ‘jo se i kemi edhe disa çështje përpara’. Në përgjithësi, në diplomaci dhe nënshkrimi i marrëveshjeve ndërkombëtare, obligon secilin që është pjesë e nënshkrimit të marrëveshjes”, tha Haliti në “DPT te Fidani” në Klan Kosova.
Më tej, Haliti akuzoi qeverinë se ka bërë veprime të panevojshme, të cilat sipas tij, kanë ndikuar shumë negativisht për Kosovën.
“Kosova është e tillë që në raport me Serbinë, për shkak të qëndrimeve që janë mbajtur nga Qeveria e Kosovës, Serbia e ka prezantuar veten si viktimë, e këtu është humbja jonë. Ka arritë që ta prezantojë popullatën serbe si viktimë. Ky është problemi”, tha ai.