Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Haki Rugova, ka treguar se nuk do të jetë kandidat për pozitën e kryetarit të partisë, tashmë kur po bëhen organizimet e fundit për mbajtjen e Kuvendit zgjedhor prej ku do të dal shefi i ri i partisë pas dorëheqjes së Isa Mustafës si rezultat i zgjedhjeve të fundit.
Lidhja Demokratike ka vendosur që kryetari i ri i partisë të zgjidhet më 14 mars, dhe deri tani ambicie për të udhëhequr me LDK’në pas debaklit të 14 shkurtit ka shprehur Anton Quni dhe Lutfi Haziri. Emra të përfolur janë edhe Lumir Abdixhiku dhe Kujtim Shala.
Por a do të kandidojë për kryetar të partisë, Haki Rugova, dhe cilat janë preferencat e tij sa i përket asaj se kujt duhet t’i besohet Lidhja Demokratike.
Në një përgjigje për Gazetën Express, Rugova ka konfirmuar se nuk do të kandidojë vetë dhe se ka shumë preferenca.
“Jo nuk do të jem kandidat për kryetar, preferenca kam shumë”, tha shkurtimisht Rugova.
Zgjedhjet e brendshme në LDK vijnë pas humbjes së thellë në zgjedhjet e 14 shkurtit, ku për herë të parë në histori që nga themelimi, partia e themeluar nga Ibrahim Rugova ka rënë në vetëm 100 mijë vota.
Deri tani, si emra tjerë të mundshëm për të udhëhequr me LDK’në janë Lumir Abdixhiku e Kujtim Shala.
Por cilat janë procedurat për t’u bërë edhe zyrtarisht kandidat për kryetar të LDK’së.
Në organin më të lartë të LDK-së, që e përbëjnë 354 delegatë të zgjedhur nga kuvendet e degëve, plus kryetari i subjektit, në këtë rast Isa Mustafa, mund të kalojnë vetëm ato kandidatura që marrin fillimisht aprovimin e delegatëve.
Në këtë mënyrë nëse të pranishëm në sallë janë 355 delegatë, atëherë duhet që një kandidat të marrë 50 për qind plus 1 të votave të totalit të delegatëve.