Synon mandatin e tretë në Kuvendin e Republikës së Kosovës.
Thotë se do të jetë gardian i mbrojtjes së interesave të qytetarëve pasi që ka dhënë kontribut për ta, gjithë jetën e tij.
E një gjë të tillë do të vazhdojë ta bëjë edhe në të ardhmen.
Është ky kandidati për deputet në zgjedhjet e 14 shkurtit në radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Hajdar Beqën.
Ai në një intervistë për Front Online thotë se partia të cilës i përket do të jetë zë i fuqishëm i qytetarëve të saj.
“Partia Demokratike ka qenë, është dhe do të mbetet zë i fuqishëm i qytetarëve të Republikës së Kosovës dhe këtë herë garojmë më të përgatitur se kurrë , pse po e them se jemi më të përgatitur se kurrë sepse e kemi programin më të mirë që e ka ndonjë parti, është shembull programi i Partisë Demokratike, rimëkëmbja është kërkesë e qytetarëve dhe nevojat e qytetarëve janë përfshi në këtë program nga ekspertët që i ka vendi dhe do të luan një ndikim të rëndësishëm në zhvillimin ekonomik, në një zhvillim të qëndrueshëm ekonomik dhe një stabilitet politik dhe social në vendin tonë”, ka thënë Beqa.
Sipas tij, qytetarët e Kosovës e kanë besimin e plotë në Partinë Demokratike të Kosovës.
“Qytetarët e kanë besimin në Partinë Demokratike, i besojnë Partisë Demokratike si forcë stabile, të qëndrueshme si parti institucionale shtetformuese dhe si një parti e cila garanton qëndrueshmëri në Republikën e Kosovës, në këtë rast ne kemi pas edhe dy qeveri që kanë ardhë në vitin 2019 më 6 tetor të cilat kanë ardhë në emër të shpresës , të cilat thoshin më 7 tetor e kemi një koalicion të kryer , por ata u pa që përveç që e kanë mashtru qytetarin e kanë mashtrua edhe veten dhe nuk mban asgjë më mend nga ato dy qeveri përveç shkeljeve kushtetuese nga të dy kryeministrat dhe shkelje të ligjit me ngarkim shkarkime politike në 12 ose në 1 të natës”, ka deklaruar ai.
Beqa pohon se rimëkëmbja është kërkesë e qytetarëve dhe nevojat e qytetarëve janë përfshi në këtë program nga ekspertët që i ka vendi dhe do të luan një ndikim të rëndësishëm në zhvillimin ekonomik.
Duke folur për ish-Presidentin Hashim Thaçi dhe ish-kryetarin e PDK-së, Kadri Veseli, Beqa thotë se ata po mbahen padrejtësisht në Hagë dhe se kjo ka ndikuar që mobilizimi i PDK-së të jetë edhe më i madh.
“Përveç, programit kanë ndiku edhe mbajtja padrejtësisht në Hagë e liderëve të Partisë Demokratike, zotëri Thaçit si president dhe si lider historik i PDK-së, dhe zotëri Veselit si kryetar i Partisë Demokratike kjo ka ndiku në mobilimin edhe më të madh që mi tregu edhe faktorit të brendshëm por edhe faktorit të jashtëm që lufta e Ushtrisë Çlirimtare ka qenë luftë e drejtë dhe Partia Demokratike dhe udhëheqësit e saj në këtë rast liderët e Partisë Demokratike dhe liderët e Kosovës pa të cilët nuk mund të shkruhet historia janë të gatshëm çdo kohë me u fliju për interesat e qytetarëve dhe këtë e kanë dëshmua , e dëshmojmë dhe kemi me dëshmu edhe në të ardhmen”, ka shtuar Beqa.
E, nëse do të jetë pjesë e Kuvendit të Kosovës, të cilën gjë edhe e beson, Beqa tregon se çfarë do të punojë edhe për invalidët dhe veteranët e luftës së UÇK-së.
“Veteranëve e Ushtrisë Çlirimtare për momentin iu mohohet nëse e gëzojnë të drejtën e pensionit iu mohohet me punu, përveç se tash kanë të drejtë me rimëkëmbje të punojnë edhe privat edhe publik ku e gjejnë një vend pune, në të njëjtën kohë kanë një pagë jo 170 euro por e kanë 300 euro. Psh, dëshmorët, një nënë që i ka dy të vrarë pensionin do ta merr për të dy, kemi raste të dëshmoreve që kanë qenë kontributdhënës, ndërmarrja për në institucionet gjegjëse më herë para lufte dhe ata janë vrarë dhe sot familja duhet me zgjedh a me marr pensionin e dëshmorit a me marr pensionin kontributdhënës. Me Rimëkëmbjen do t’i gëzojnë dy drejtat në këtë rast, janë të drejta legjitime të familjes që t’i gëzojnë kontributet që i ka dhënë familjari i tyre”, ka shtuar Beqa.
Ai ka pasur edhe një mesazh për qytetarët e Kosovës në zgjedhjet e 14 shkurtit.
“Mesazhi im për qytetarët e Republikës së Kosovës është që të dalin sa më masovikisht në zgjedhjet e 14 shkurtit , të votojnë për të ardhmen, të votojnë për një shtet të qëndrueshëm , të votojnë për një stabilitet ekonomik , të votojnë për rritje të pagave, të votojnë për integritetin e vendit tonë dhe të votojnë për Partinë Demokratike për numrin 134 që do të jetë kryeministri i Republikës së Kosovës zotëri Enver Hoxhaj”, është shprehur Beqa.
Hajdar Beqa kandidon në listën e PDK-së për deputet të Kuvendit të Kosovës dhe bart numrin 28./Front Online/