×
  • Opinione
  • Opinione

    Grusht shteti në Rusi, si Putini dhe sigurimi morën frenat në Kremlin

    FrontOnline
    11 Maj 2022

    Autorja është profesoreshë e marrëdhënieve ndërkombëtare në New School në Nju Jork.

    Më 20 dhjetor 1999, Vladimir Putin iu drejtua zyrtarëve të lartë të Shërbimit Federal të Sigurisë së Rusisë (FSB) në selinë e tij në Lubyanka pranë Sheshit të Kuq të Moskës. Kryeministri 47-vjeçar i emëruar së fundmi nga presidenti Yelstin, që mbante gradën e nënkolonelit në FSB, po vizitonte kolegët e tij për të shënuar festën e shërbimeve ruse të sigurisë.

    “Misioni ynë për të depërtuar në nivelin më të lartë të qeverisjes është përmbushur”- tha Putin. Ish-kolegët e tij qeshën. Në fakt batuta ishte për Rusinë. Putin u bë president i përkohshëm më pak se 2 javë më vonë. Që nga fillimi i sundimit të tij, ai ka punuar për të forcuar shtetin me synim kundërvënien ndaj kaosit të kapitalizmit post-sovjetik dhe demokratizimit të paqëndrueshëm.

    Për ta arritur këtë qëllim, ai e pa të nevojshëm forcimin e shërbimeve të sigurisë dhe vendosjen e ish-zyrtarëve të sigurimit në krye të organeve më të rëndësishme të qeverisë.

    Por qasja e Putin ka ndryshuar vitet e fundit. Burokracia ka mënjanuar gjithnjë e më shumë personalitetet e profilit të lartë që dominonin më parë.

    Dhe teksa presidenti rus nisi të mbështetet tek këto institucione burokratike për të çuar më tej konsolidimin e pushtetit të tij, edhe fuqia e tyre është rritur shumë krahasuar me organet e tjera shtetërore. Por kjo u bë e dukshme vetëm në muajin shkurt të këtij viti, kur Putin dha urdhrat fillimisht për të njohur pavarësinë e republikave të vetëshpallura të Donetskut dhe Luhanskut në Ukrainë, dhe disa ditë më vonë, për dërgimin e trupave ruse në Ukrainë.

    Në ditët e para të luftës, shumica e degëve të shtetit rus dukeshin të çoroditura nga vendosmëria e Putinit për të pushtuar Ukrainën. Madje disa zyrtarë të shquar e vunë në pikëpyetje atë vendimit, edhe pse me njëfarë druajtje. Por në javët që pasuan, qeveria dhe shoqëria ruse janë rreshtuar njëlloj në krah të Kremlinit.

    Sot mendimi kundër luftës përbën një krim, dhe individët që dikur kishin pushtet vendimmarrës – edhe pse të kufizuar – e panë veten peng të institucioneve, qëllimi i vetëm i të cilave është siguria dhe kontrolli. Në fakt ajo që ka ndodhur është një grusht shteti brenda FSB-së.

    Rusia ishte dikur një shtet i dominuar nga forcat e sigurisë. Por tani shteti është bërë një burokraci e organeve të sigurisë me Putinin në krye. FSB-ja e sotme e ka origjinën tek Revolucioni Bolshevik i vitit 1917, kur Komisioni i Jashtëzakonshëm Gjithë-Rus, i njohur gjithashtu si CHEKA, përndiqte armiqtë e shtetit të ri sovjetik nën udhëheqjen brutale të Felix Dzerzhinsky.

    Variantet e tij të mëvonshme, Komisariati Popullor për Punët e Brendshme (NKVD) dhe Ministria e Sigurimit të Shtetit (MGB), u zhvilluan nën sundimin e liderit sovjetik Josif Stalin dhe u drejtuan nga Genrikh Yagoda në vitet 1930 dhe Lavrenty Beria në vitet 1940 dhe 1950. KGB u bë agjencia kryesore e sigurisë e Bashkimit Sovjetik në vitin 1954 nën Nikita Khrushchev, pasardhësin e Stalinit.

    Gjatë dekadës që pasoi, ai e zgjeroi mbikëqyrjen e Partisë Komuniste mbi institucionet e kontrollit të shtetit sovjetik, duke kufizuar ndikimin e tyre. Por pas rrëzimit të Khrushchev në vitin 1964, Yuri Andropov, shefi jetëgjatë i KGB-së, rivendosi autoritetin e kësaj organizate, duke shënuar kulmin e fuqisë së saj gjatë viteve 1970.

    Andropov e drejtoi Bashkimin Sovjetik si Sekretar i Përgjithshëm i Partisë Komuniste në vitet 1982-1984. Ai ishte i pamëshirshëm në vendosjen e kontrollit ideologjik. Çdo “diversion” ishte një shkas për ndjekje penale. Disa kundërshtarë u burgosën ose u vendosën në reparte psikiatrike për “riedukim”, ndërsa të tjerët u detyruan të emigronin.

    Nga fundi i viteve 1980, reformat e udhëheqësit të ri sovjetik Mikhail Gorbachev, e zbutën kontrollin e forcave të sigurisë. Kur ra “Perdja e Hekurt” në vitin 1989 dhe shtetet satelite të Evropës Lindore u larguan nga sfera e influencës së Moskës, KGB-ja u kthye 2 vjet më vonë kundër Gorbachev, duke kryer një grusht shteti të dështuar që përshpejtoi kolapsin e Bashkimit Sovjetik.

    Aparati i sigurisë u poshtërua, por nuk u shpërbë. Boris Yelstin, presidenti i parë i Rusisë post-sovjetike, e konsideroi komunizmin, dhe jo KGB-në, si të keqen më të madhe. Ai mendonte se vetëm ndryshimi i emrit të KGB-së në FSB do ta ndryshonte edhe organizatën, duke e lejuar atë të bëhej më dashamirëse dhe më pak kontrolluese.

    Por ky ishte një mendim i dëshiruar. Shërbimet ruse të sigurisë e kanë origjinën e tyre nga policia sekrete e Ivanit të Tmerrshëm, Oprichniki, në shekullin XVI dhe Kancelaria Sekrete e Pjetrit të Madh në shekullin XVIII. Rusia ka qenë një shtet i dominuar nga forcat e sigurisë, por tani burokracia e sigurisë është bërë shtet.

    Në fakt, oficerët e KGB-së ishin relativisht të përgatitur për ta përballuar rënien e komunizmit dhe tranzicionin drejt kapitalizmit. Siç e ka shpjeguar Leonid Shebarshin, një ish-operativ i nivelit të lartë të KGB-së, ishte e natyrshme që ata që u stërvitën nën drejtimin e Andropov për një luftë të fshehtë kundër armiqve të jashtëm dhe të brendshëm – NATO, CIA, disidentë dhe opozita politike – të bëheshin borgjezia e re e Rusisë.

    Ata mund t’i përballojnë oraret e parregullta të punës, të kenë sukses në mjediset armiqësore, dhe kur u kërkohet mund të përdorin taktikat e marrjes në pyetje dhe manipulimit. Një prej tyre, Putin u lavdërua si një pragmatist nga diplomatët perëndimorë kur doli nga errësira për t’u bërë president i Rusisë në vitin 2000.

    Që në fillim, ai nuk e fshehu synimin e tij për të krijuar autoritetin absolut në stilin e Andropov, duke e kufizuar me shpejtësi fuqinë e “baronëve kapitalistë” që kishin lulëzuar në vitet 1990 nën presidencën e furishme të Yeltsin. Në mendjen e Putin, një oligarki e pavarur në kontrollin e industrive strategjike, si nafta dhe gazi, e kërcënonte stabilitetin e shtetit.

    Ai siguroi që vendimet e biznesit që kishin lidhje me interesin kombëtar të merreshin nga një grusht njerëzish të besuar, të ashtuquajturit “siloviki”, ose anëtarë të agjencive ushtarake dhe të sigurisë të shtetit.

    Në fakt këta individë u bënë menaxherë ose kujdestarë të aseteve të kontrolluara nga shteti. Shumica ishin nga Leningradi, vendlindja e Putin (Shën Petërburgu i sotëm) dhe kishin shërbyer së bashku me të në KGB. Nga ana e korporatës, radhët e tyre përfshijnë Igor Sechin (Rosneft), Sergey Chemezov (Rostec) dhe Alexey Miller (Gazprom), ndërsa çështjet e mbrojtjes së shtetit trajtohen nga Nikolai Patrushev (sekretar i Këshillit të Sigurimit), Alexander Bortnikov (drejtor i FSB), Sergei Naryshkin (drejtor i Shërbimit të Inteligjencës së Jashtme), dhe Alexander Bastrykin (kreu i Komitetit Hetues).

    Një burim në Kremlin më tha se shumë zyrtarë tani parashikojnë një katastrofë të ngjashme me luftën në Afganistan në vitet 1980, e cila përfundoi në një tërheqje të turpshme dhe ndihmoi në shpërbërjen e perandorisë sovjetike. Por në një qeveri që është bërë gjithnjë e më shumë teknokratike, e institucionalizuar dhe jo personale, opinione të tilla nuk janë më të lejueshme.

    Ndërsa konflikti vazhdon në muajin e tretë dhe shtohen provat e krimeve të luftës, shumica e zyrtarëve dhe politikanëve vazhdojnë ta mbështesin Putinin. Biznesi i madh qëndron kryesisht i heshtur. Elitat ekonomike, të shkëputura nga Perëndimi, janë mbledhur rreth flamurit rus. Edhe pse disa mund të ankohen nën zë, shumë pak janë të zëshëm në publik, përcjell abcnews.al

    Gazetarja dhe shkrimtarja Masha Gessen e quajti dikur Putinin “njeriu pa fytyrë”. Megjithatë sot fytyra e tij është e vetmja në krye të një burokracie anonime sigurie që plotëson kërkesat e tij. Një tjetër grusht shteti, qoftë në korridoret e Kremlinit apo në rrugët e Moskës, nuk ka të ngjarë. I vetmi grup që mund të mund ta shkarkojë presidentin është FSB, e cila drejtohet ende nga silovikët nacionalistë, të cilët e kuptojnë se njëfarë fleksibiliteti i politikës së jashtme është i nevojshëm për zhvillimin e brendshëm.

    Por zyrtarë të tillë nuk janë më e ardhmja e FSB-së. Trupi i paqartë i teknokratëve të sigurisë tani në krye është i fiksuar pas kontrollit total, pavarësisht nga pasojat kombëtare apo ndërkombëtare. Me këtë burokraci që mbahet fort pas pushtetit, aventurizmi i huaj i Moskës mund të pakësohet. Por për sa kohë që struktura të jetë e qëndrueshme, Rusia do të mbetet e shtypur, e izoluar dhe jo e lirë.

    Punimet në rrjet, KEDS njofton për vendet që s’do të kenë rrymë
    Nga Rubrika
    Opinione18 Prill 2024
    Burimi: The Guardian (Titulli origjinal: Netanyahu faces tough questions on Iran – because we Israelis don’t need any more forever wars) Shkruan:...
    Opinione17 Prill 2024
    Nga Xhezair Zaganjori: Pak ditë më parë, më 9 prill 2024, Dhoma e Madhe e Gjykatës Europiane të të Drejtave të Njeriut...
    Opinione16 Prill 2024
    Nga Shlomo Ben-Ami: E ndodhur përballë kërcënimit të një fitoreje ruse në Ukrainë, Evropa duhet të vendosë se si të përballet me...
    Të tjera
    Sport19 Prill 2024
    Ish-mesfushori i Arsenalit, Granit Xhaka, ka dërguar një mesazh frymëzues për Topçinjtë teksa po hyjnë në ndeshjen e fundit të betejës së...
    Lajme19 Prill 2024
    Inspektorati Policor i Kosovës ka rekomanduar suspendimin e një rreshteri policor, pasi një ankese nga një qytetar sot në Prizren. Sipas tij,...
    Bota/Rajoni19 Prill 2024
    Një person i vuri zjarrin vetes të premten jashtë gjykatës së Nju Jorkut, ku po zhvillohej gjyqi historik ndaj ish-presidentit Donald Trump,...
    Lajme19 Prill 2024
    Një 17 vjeçar është arrestuar sot në Ferizaj nën dyshimin se ka tentuar ta vras me thikë një 20 vjeçar. I lënduari...
    Lajme19 Prill 2024
    Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Kosovës, ka konfirmuar arrestimin nga policia serbe të shtetasit kosovar dhe asaj britanike, Sadik...
    Sport19 Prill 2024
    Trojet shqiptarë kanë nxjerrë njerëz të suksesshëm dhe të mbërrirë në fusha të ndryshme. Pa diskutim, sportistët ishin ata që i bënë...

    FrontOnline, © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara.