Zëvendëskryeministri i Maqedonisë së Veriut, Artan Grubi, ka qëndruar në Partinë Demokratike të Kosovës ku është pritur nga kryetari në detyrë i kësaj partie, Enver Hoxhaj.
Ai ka thënë se ndër temat që kanë folur është procesi i regjistrimit të mërgatës së Maqedonisë së Veriut.
Grubi është shprehur se me t’u formuar institucionet në Prishtinë, do të mbahet mbledhja e përbashkët e dy qeverive, të Kosovës dhe asaj të Maqedonisë së Veriut.
“Janë mbi 15 marrëveshje bilaterale që po presim nënshkrimin. Mezi po presimin formimin e institucioneve në Kosovë për të zbatuar marrëveshjet, duke filluar edhe me largimin e kufirit në mes nesh në Bllacë, Bellanicë…”.
Për zëvendëskryeministrin e qeverisë së vendit fqinj, pritet që deri në 300 mijë qytetarë nga diaspora të marrin pjesë në regjistrim.
“Më 1 mars ka filluar regjistrimi i diasporës. Kemi tejkaluar numrin e 72 mijë qytetarëve në mërgatë dhe presim që të afrohemi deri në 300 mijë. Për aktin normativ të Agim Nuhit derisa ushtronte detyrën e Ministrit të Brendshme ishte gjatë kohës së qeverisë teknike, do ta përsërisim”.
“Qeveria funksionon në dy gjuhë. Të gjitha mbledhjet i udhëheq në gjuhën shqipe. Gjuha shqipe, gjuhë zyrtare në Maqedoni të Veriut është punë e kryer”.