Gresa Caka Nimani ka përfunduar sot mandatin e saj nëntë vjeçar si kryetare e Gjykatës Kushtetuese.
Gjykata Kushtetuese tha se ajo dha kontribut të jashtëzakonshëm në mbrojtje të Kushtetutës dhe vlerave të demokracisë dhe vlerave demokratike të Republikës së Kosovës.
“Pas skadimit të mandatit nëntë (9) vjeçar, më 30 dhjetor 2024, Kryetarja znj. Gresa Caka-Nimani, ka përfunduar shërbimin e saj si gjyqtare e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës. Kryetarja Caka-Nimani është dekretuar si gjyqtare e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës, më 30 dhjetor 2015. Më 17 maj 2021, është zgjedhur, ndërsa më 5 qershor 2024, është rizgjedhur, Kryetare e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës. Gjatë mandatit të saj, Kryetarja Caka-Nimani ka dhënë kontribut të jashtëzakonshëm në mbrojtjen e Kushtetutës dhe vlerave demokratike të Republikës së Kosovës.
Kryetari, gjyqtarët dhe stafi i Gjykatës Kushtetuese, shprehin mirënjohjen e thellë për angazhimin dhe përkushtimin e saj dhe i urojnë suksese në angazhimet e saj të ardhshme”, thuhet në një postim të Kushtetueses në Facebook.