Greqia do ta zgjerojë orarin e orës policore gjatë natës dhe do t’i mbyllë restorantet dhe baret në zonat më të populluara të vendit për një muaj nga 3 nëntori për ta luftuar përhapjen e koronavirusit.
Ky shtet deri më tani ka shënuar më pak raste infektimesh se shumica e Evropës, por ka përjetuar rritje graduale që nga pjesa e parë e tetorit, shkruan Reuters.
Restorantet, baret, kinematë, muzetë dhe sallat e fitnesit do të mbyllen nga e marta dhe do të qëndrojnë të mbyllura për një muaj në pjesën veriore të Greqisë dhe në rajonin Attica, ku shtrihet edhe kryeqyteti Athina.
Ora policore, e cila deri më tani ka qenë në fuqi në zonat më të prekura nga virusi, tani e tutje do të vlejë për tërë territorin. Ora policore fillon në mesnatë dhe zgjat deri në orën pesë të mëngjesit.
Kryeministri grek, Kyriakos Mitsotakis, tha në një fjalim publik se autoritetet do të ofrojnë përkrahje në vlerë prej 1.5 miliard eurosh për sektorët e prekur nga pandemia dhe masat kufizuese
Greqia tashmë ka shpërndarë më shumë se 14 miliardë euro për ta rimëkëmbur ekonominë nga efektet e dëmshme të valës së parë të virusit.