Njëzet e katër nxënës francezë dhe tre mësues që i shoqëronin u vendosën në karantinë në një hotel në Athinë pasi një shoqëruese rezultoi pozitive me COVID-19, bëri të ditur policia portuale greke.
”Grupi i nxënësve mbërri dje në aeroportin e Athinës, ku u janë nënshtruar testeve të depistimit para se të niseshin për në Pire, një port i madh pranë Athinës dhe të merrnin një traget me destinacion ishullin turistik të Santorinit në Detin Egje”, theksoi një zyrtare e zyrës së shtypit të rojave bregdetare, raporton ATSh.
Por, të hënën pasdite autoritetet e aeroportit paralajmëruan policinë e portit se testi i depistimit për një prej tre shoqëruesve të nxënësve kishte rezultuar pozitiv dhe tragetit i është dashur të kthehet në Pire, sipas menaxherit.
Grupi do të qëndrojë për disa ditë në karantinë në një hotel në Athinë pasi trageti është dezinfektuar, sipas policisë së portit.