Grenell u tregon serbëve në SHBA se kur do ta vizitojë Trumpi Serbinë
I dërguari special i presidentit amerikan për dialogun midis Kosovës dhe Serbisë, Richard Grenell, e ka vizituar komunitetin serb në Wisconsin të SHBA-së. Atje, Grenell tregoi se çfarë i ka thënë presidenti Donald Trump lidhur me ftesës për ta vizituar Serbinë.
Sipas Grenell, Trump ka thënë se do ta vizitojë Serbinë pasi ta ketë fituar edhe një mandat në krye të SHBA-së.
“Presidenti tha që unë do të shkoj pasi t’i fitoj zgjedhjet, unë do të shkoj si president i Shteteve të Bashkuara” tha Grenell.
Ai drejtoi një mbledhje në sallën Amerikano-Serbe, të organizuar nga Partia Republikane nga Milwaukee dhe Nisma “Serbët për Trump 2020”, së bashku me kongresmenin Brian Steele.
Grenell gjithashtu u takua privatisht me përfaqësuestë komunitetit Serbo-Amerikan nga Çikago dhe Milwaukee, ku diskutuan marrëveshjen e nënshkruarnë Shtëpinë e Bardhë, zbatimin e saj dhe planet për të ardhmen.
“Ne jemi shumë krenarë për atë që kemi bërë për t’i sjellë Beogradin dhe Prishtinën më afër në bisedimet për ekonominë”, tha i dërguari special i presidentit amerikan për dialogun midis Beogradit dhe Prishtinës, Richard Grenell, në fjalimin e tij drejtuar komunitetit serb në SHBA.
Grenell gjithashtu përcolli mesazhin e presidentit Donald Trump për komunitetin serb në Wisconsin se marrëveshja e Uashingtonit ishte e vështirë dhe se ata ishin të ngazëllyer për zbatimin e saj.
Duke folur për marrëdhëniet midis Prishtinës dhe Beogradit, ai tha se të dy palët ishin të ftuara të përqendroheshin në ekonomi.
“Unë u thashë të dy palëve se kemi shumë tema politike për të biseduar dhe mund të vazhdojmë të diskutojmë për simbolikën dhe politikën për 20 vjet të tjera, por le të bëjmë diçka që Trump po e bën më së miri, dhe kjo është rritja ekonomike . Le t’u japim shpresë të rinjve në rajon që ata mund të qëndrojnë atje dhe të mos shkojnë në Hungari ose Gjermani. Le të sjellim disa kompani amerikane e evropiane në Ballkan”, tha Grenell.
Ai tha se është krenar që në marrëveshjen e Uashingtonit, qeveria serbe ra dakord për diversifikimin në energji, duke deklaruar se kjo ishte një “fitore për Shtetet e Bashkuara, sepse deri tani 100 përqind e energjisë ka ardhur në Serbi nga Rusia”.
“Ne jemi krenarë për punën tonë për Kosovën, Serbinë dhe rajonin dhe nuk mund të jem më krenar që erdha në sallën serbe në Wisconsin”, tha Grenell dhe u bëri thirrje serbëve të shkojnë në qendrat e votimit dhe të votojnë për Trumpin, raporton Express.
“Unë ju ftoj të bëni diçka për presidentin, sepse ai punoi për ju”, u tha Grenell serbëve të mbledhur, ndërsa përfundoi se “Amerika është një vend i shkëlqyeshëm që zgjidh të gjitha problemet”.