Emisari i administratës së Donald Trump për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Richard Grenell, ka reaguar pasi Kosova dhe Izraeli zyrtarizuan vendosjen e marrëdhënieve diplomatike, si pjesë e marrëveshjes së nënshkruar në Shtëpinë e Bardhë në shtator të vitit të kaluar.
Grenell e ka cilësuar ditën e sotme “ditë vërtetë historike”, ndërsa e ka falenderuar ministren e Punëve të Jashtme të Kosovës, Ministrinë e Punëve të Jashtme izraelite, ish-presidentin Donald Trump dhe Sekretarin e ri të Shtetit në SHBA, Antony Blinken.
“Ditë e mrekullueshme. Izraeli dhe Kosova zyrtarisht nënshkruajnë marrëdhëniet diplomatike. Faleminderit Meliza Haradinaj-Stublla, MPJ e Izraelit, Donald Trump dhe Sekretari i ri i Shtetit, Antony Blinken për përkushtimin tuaj për ta bërë ditën e sotme vërtetë ditë historike!”, shkroi ai.
Pavarësia e Kosovës si shtet është njohur sot zyrtarisht nga një shtet shumë i rëndësishëm si izraeli. Këtë akt e ka quajtur historik ministri i Jashtëm i Izraelit, Gabi Ashkenazi, i cili me këtë rast ka falenderuar Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Njohja e Kosovës nga Izraeli erdhi si pjesë e marrëveshjes midis Kosovës dhe Serbisë të ndërmjetësuar nga administrata Trump në shtator. Marrëveshja përfshinte gjithashtu normalizimin midis Izraelit dhe Kosovës dhe që të Kosova dhe Serbia të hapnin ambasadat e tyre në Jeruzalem.