Kosova ka një historik më të hershëm me riatdhesimet nga Siria dhe kampi famëkeq i Al Holit. Më herët, Gjykata Themelore e Prishtinës ka marrë në pyetje 11 gra të riatdhesuara, ndërsa për to është kryer dhe një hetim i gjatë për terrorizëm, madje janë marrë dhe masa.
Avokatja Fehmije Gashi Bytyqi tha për Euronews Albania se 32 gratë dhe fëmijët e mbërritur nga Siria në Kosovë në 2019 kanë qenë në hetim që nga viti 2014 me akuzat e terrorizimit.
Ajo shpjegoi se në Kosovë, nisur nga numri i madhe i shtetasve që po shkonin në Siri për të luftuar, në 2015 u sanksionua me ligj dënimi për këdo merr pjesë në luftëtar të vendeve të tjera.
Shumica e këtyre grave, shpjegoi avokatja, ata kanë ardhur në gjendje të rënduar psikologjike dhe shpirtërore dhe kanë pohuar se kanë shkuar në Siri, pasi për shkak të zakonit u është dashur të bëjnë çfarë u thonë burrat e tyre.
“Kontakti i parë me klienten time ka qenë jo i lehtë, ka ardhur nga një ambient lufte, me 4 fëmijë.
Kam qenë e detyruar t’i shpjegoj se nëse shpreh pendim, do të kalojë me një dënim më lehtë, është betuar para gjykatës se nuk do të bënte më kurrë atë gjë.
Shumica e grave të kthyera deklaruan se kanë shkuar pasi ato do të bënin gjithçka që bënin burrat.
Edhe pse këto gra janë akuzuar për terrorizëm, shteti i Kosovës me aq sa ka pasur mundësi u ka dhënë ndihmë dhe është shembull për çdo shtet në botë”, u shpreh avokatja.