Një grabitje me armë nga dy persona ka ndodhur para disa minutave në lagjen Dardania në Prishtinë.
Lajmin e ka konfirmuar, zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Agron Borovci i cili ka thënë se është grabitur filialja e një mikrofinance.
Në fotografitë e Gazetës inFokus nga vendi i ngjarjes shihet se një numër i madh i policëve kanë arritur në vendin e ngjarjes.
“Rreth orës 13:00 është raportuar për një grabitje të ndodhur në filialen e një një mikrofinance në bulevardin “Bill Clinton” në Prishtinë. Pas marrjes së informacionit policia ka dalë në vendngjarje dhe bazuar në të dhënat e para janë ngritur dyshimet se grabitja është kryer nga dy të dyshuar të cilët më pas kanë ikur nga vendi i ngjarjes”, ka thënë Borovci.
Zëdhënësi i Policisë po ashtu ka konfirmuar se nga ky rast nuk ka të lënduar dhe se dy të dyshuarit kanë ikur nga vendi i ngjarjes.
“Nuk raportohet për persona të lënduar. Aktualisht policia ka iniciuar një hetim lidhur me rastin dhe ka nisur me ndërmarrjen e veprimeve të nevojshme policore me qëllim zbardhjen e rastit si dhe identifikimin e të dyshuarve”, ka thënë Borovci.