Një grabitje e armatosur ka ndodhur në një institucion mikrofinanciar në bulevardin “Dëshmorët e Kombit“ në Prishtinë.
Lajmin e ka bërë të ditur policia e Kosovës.
Sipas tyre personi i cili dyshohet se ka kryer grabitjen është arrestuar dhe i janë sekuestruar disa para dhe një revole.
“Rreth orës 17:40 është raportuar për një grabitje të armatosur të ndodhur në një institucion mikrofinanciar në bulevardin “Dëshmorët e Kombit“ në Prishtinë. Menjëherë pas informatës të gjitha njësitë policore të rajonit të Prishtinës janë aktivizuar me shpejtësi dhe kanë nisur punën e tyre në drejtim të identifikimit të t dyshuarit, marrjes e përpunimit të informacioneve si dhe kanë realizuar një operacion të rrufeshëm për kapjen e të dyshuarit. Ndërmarrja e këtij operacioni të shpejtë si dhe veprimet operativo- hetimore tejet të sofistikuara kanë rezultuar me kapjen dhe arrestimin e personit të dyshuar në ikje e sipër vetëm pak minuta pas ngjarjes. Arrestimi i të dyshuarit; F. R, mashkull, 19 vjeç, shtetas i Republikës së Kosovës, i cili dyshohet me bazë të jetë i implikuar në rastin e grabitjes në fjalë u krye në lagjen Dardania të Prishtinës përderisa i njëjti po përpiqej ti shmangej ndjekjes së policisë. Ndërkohë që policia ka arrestuar të dyshuarin, pas kontrollit të ushtruar ka arritur të gjej dhe sekuestroj; • Një revole të llojit dhe tipit të veçantë, si dhe • Një sasi të konsiderueshme parash, të cilat dyshohet të jenë paratë e grabitura. Aktualisht po vijon puna hetimore me qëllim ndriçimin e të gjitha rrethanave të rastit si dhe ndërlidhjen eventuale të këtij të dyshuari me raste të tjera kriminale”.