Nexhmie Gori, kryetare e Sindikatës së Infermierëve të Kosovës, ka theksuar se rritja e pagave është një hap i nevojshëm për motivimin e infermierëve dhe për të siguruar shërbime më cilësore për pacientët, por thekson se problemi kryesor mbetet mungesa e një Ligji të veçantë për statusin e infermierëve.
‘’ Por, do të ishte shumë e mirëseardhur që çështja e statusit të infermierëve të zgjidhet me një Ligj të veçantë’’, tha Gori.
Gori ka theksuar se, pavarësisht rritjes së pagave, kushtet e punës për infermierët janë ende larg standardeve të nevojshme, duke përfshirë mungesën e infrastrukturës dhe pajisjeve të duhura që do të ndihmonin në përmirësimin e cilësisë së shërbimit.
‘’ Pagat, pavarësisht rritjes së proklamuar, nuk janë të mjaftueshme dhe shpaguese për ngarkesën e lartë në punë. Problem mbetet edhe mungesa e infrastrukturës dhe pajisjeve që do të ndihmonin në kualitetin e punës së tyre’’, potencoi Gori.
Emigrimi i mantelbardhëve/ 103 mjekë dhe 114 infermierë ikën sivjet nga Kosova
Një tjetër shqetësim i ngritur nga Gori ka qenë emigrimi i infermierëve nga Kosova. Ajo ka njoftuar se, deri më 20 nëntor të këtij viti, janë kërkuar 114 vërtetime për të kaluarën etike dhe 307 licenca të pa plastifikuara nga infermierët, kryesisht për t’u punësuar jashtë vendit. Gori ka thënë së këto dokumente kryesisht kërkohen nga infermierët që synojnë të punësohen jashtë vendit.
‘’ Sa i përket largimit të infermierëve nga Kosova, që është një problem në vete, deri më 20 nëntor të këtij viti janë kërkuar 114 vërtetime për të kaluarën etike dhe 307 licenca të pa plastifikuara. Këto dokumente kryesisht kërkohen nga infermierët që pretendojnë të gjejnë një punë në vendet tjera”, shprehet Gori për FrontOnline.