×
  • Lajme
  • Lajme

    Gjykata Speciale thotë se nuk do t’i gjykojë vetëm shqiptarët

    FrontOnline
    12 Nëntor 2020

    Pak kush pret që Gjykata Speciale t’i ulë në bankën e të akuzuarve edhe serbët që kishin kryer krime në Kosovë. Në fakt, asnjë shenjë s’është dhënë se do të zbardhen krimet e tyre ndaj shqiptarëve. Megjithatë, gjykata thotë se s’do t’i gjykojë vetëm shqiptarët. Këtë e detyron ta bëjë edhe ligji me të cilin u themelua.

    Që nga themelimi me 82 votat e deputetëve të Kosovës, Gjykata Speciale është cilësuar njëetnike dhe është akuzuar se i diskriminon shqiptarët.

    Por, nga Specialja kanë thënë për Gazetën Express se do të gjykohen të gjitha krimet kundër njerëzimit, krimet e luftës dhe krimet e tjera që janë kryer midis janarit të vitit 1998 dhe dhjetorit të vitit 2000, pavarësisht se kush ka qenë autor i tyre.

    “Dhomat e Specializuara kanë juridiksion mbi krimet kundër njerëzimit, krimet e luftës dhe krime të tjera sipas ligjit të Kosovës; që pretendohet se janë kryer midis janarit 1998 dhe dhjetorit 2000; që ishin kryer ose kishin filluar në Kosovë dhe ku autori ose viktima ishte nga Kosova ose Republika Federale e Jugosllavisë së atëhershme”, ka thënë zëdhënësi i Gjykatës Speciale, Michael Doyle.

    Edhe Ligji për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar parasheh që nën juridiksion të Gjykatës Speciale të hyjnë krimet me viktima apo autorë të etnive të ndryshme të ish-Jugosllavisë, ku hyjnë shqiptarët, serbët, maqedonët, malazezët, boshnjakët e sllovenët.

    “Dhomat e Specializuara kanë juridiksion mbi personat fizikë sipas dispozitave të këtij ligji. Në përputhje me juridiksionin e personalitetit aktiv dhe pasiv të gjykatave të Kosovës sipas ligjeve penale të zbatueshme që kanë qenë në fuqi në mes të periudhës 1 janar 1998 dhe 31 dhjetor 2000, dhe përveç juridiksionit të tyre territorial të paraparë në nenin 8, Dhomat e specializuara kanë juridiksion mbi personat e nënshtetësisë Kosovare/IRJ apo mbi personat që kanë kryer krime në kuadër të juridiksionit të tyre lëndor kundër personave me nënshtetësi kosovare/IRJ kudo që janë kryer ato krime”, thuhet në nenin 9 të këtij ligji.

    Kryetarja e Gjykatës Speciale: Do të gjykohet kushdo që ka kryer krime, pavarësisht etnisë

     

    Tre vjet më parë, kryetarja e Gjykatës Speciale, Ekaterina Trendafilova kishtë mohuar se kjo gjykatë do t’i gjykonte vetëm shqiptarët.

    “Nuk ka bazë në ligj. Ua them përse: sepse ligji e thekson me qartësi – fillimisht askund s’thuhet se hetimet e proceset do të kenë të bëjnë me vetëm një shtetësi, një etni apo kombësi. Është e kundërta. Ligji thotë – dhe isha shumë e lumtur kur e lexova këtë, sepse vendosa më lehtë se s’do ta përfundoj karrierën time në ndonjë institucion që do të ishte diskriminues – ligji thekson se kushdo që ka kryer krime nën juridiksionin tonë në territorin ku krimi është kryer në periudhë të caktuar, secili do të jetë përgjegjës. Dhe po ashtu secili, pavarësisht etnisë e nënshtetësisë, që ka kryer krime ndaj qytetarëve të Kosovës dhe ish-Jugosllavisë, do të llogaritet përgjegjës”, kishte deklaruar Trendafilova në Rubikon.

    “Pikërisht”, kishte thënë Trendafilova kur ishte pyetur nëse para Gjykatës Speciale do të dilnin edhe të akuzuar të etnive të tjera, si serbë, turq e goranë.

    “Them se atëherë është bërë punë e mire, sepse ligji thoshte se kushdo që ka kryer krime, pavarësisht etnisë e nënshtetësisë, e që ishin ndaj shtetasve të Kosovës, do të gjykohet”, kishte thënë Trendafilova më 23 nëntor të vitit 2017.

    “Asnjë serb nuk do të jetë i akuzuar”

     

    Pavarësisht se disa prej tyre e kishin votuar vetë, shumica e politikanëve në Kosovë nuk kanë besuar dhe nuk besojnë se Gjykata Speciale do të merret edhe me krimet e kryera nga serbët në Kosovë.

    Ish-shefi politik i UÇK-së dhe ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, që tani vetë është subjekt i kësaj gjykate, në një panel të organizuar në tetor të vitit 2017 me temën “Perceptimi publik i Gjykatës Speciale të Kosovës: rreziqet dhe mundësitë”, kishte thënë se në këtë gjykatë s’do të gjykohet asnjë serb.

    “E dimë dhe është e saktë kjo. Do të merret me krime të supozuara të kryera nga ushtarët e UÇK-së. Shqiptarët nuk kanë besim te kjo gjykatë, kurse serbët besojnë plotësisht sepse janë të informuar mbi akuzat dhe se asnjë serb nuk do të jetë i akuzuar. Kjo gjykatë është njëetnike”, kishte deklaruar Thaçi.

    Edhe ish-zëdhënësi i UÇK-së dhe ish-kryeparlamentari i Kosovës, Jakup Krasniqi, që është gjithashtu në grupin e të akuzuarve, e kishte cilësuar Gjykatën Speciale si njëetnike dhe të paparë më herët në drejtësinë ndërkombëtare.

    “Nëse diçka në botë ka ‘Sui Generis’, kjo gjykatë është e tillë. Po e them këtë duke pas parasysh praktikën ndërkombëtare të krijimit të gjykatave të ngjashme. Një gjykatë e tillë është bërë në Romë, por një gjykatë e tillë për ndjekje njëetnike nuk e di që ka ekzistuar ndonjëherë në praktikën e drejtësisë ndërkombëtare”, kishte thënë Krasniqi për “Ekonomia Online” më 15 dhjetor të vitit 2019.

    Një etnike dhe të padrejtë e kishte cilësuar Specialen edhe kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), Albin Kurti.

    “Gjykata Speciale për Vetëvendosjen do të jetë gjithmonë e padrejtë dhe njëetnike. Mirëpo ajo është votuar nga politikanë injorantë. Në Kosovë do të duhej të kishte gjykata që dënojnë krimet në paqe siç është korrupsioni”, kishte thënë Kurti më 15 janar të vitit 2019, në 20-vjetorin e masakrës së Reçakut.

    Nga Serbia thonë se po e ndihmojnë Gjykatën Speciale me dosje kundër UÇK-së

     

    Të bindur se Gjykata Speciale s’do ta gjykojë askënd përveç shqiptarëve janë edhe në Serbi.

    Duke qenë kështu, ish-gazetari dhe politikani serb, Milovan Drecun, të hënën në një paraqitje në televizionin serb “TV Happy”, ka thënë se Gjykata Speciale po shërbehet me informata nga Serbia.

    Ai tha se i ka dhënë Speciales “fakte për burgjet ilegale të UÇK-së”. Drecun tha se e posedon listën e dokumenteve dhe fakteve që ua ka dhënë Gjykatës Speciale dhe prej tyre janë ngritur aktakuza ndaj shqiptarëve.

    “Në bazë të ndodhive, në bazë të lokacioneve, në bazë të asaj që po e shoh që është prioritet i Prokurorisë Speciale (burgimet ilegale, arrestimet, keqtrajtimet…), po e shoh që ka shumë informata që ne iu kemi dhënë, p.sh. burgjet ilegale, nga 159 lokacione, nga to edhe në Shqipëri, ata tashmë i kanë marrë 15 në territorin e Kosovës dhe dy në Shqipëri, që do të thotë që ende s’është përfunduar kjo punë. Unë e kam listën e asaj që ne iu kemi dhënë atyre (Prokurorisë Speciale) dhe po e shoh që gati të gjitha të dhënat janë në aktakuzë, e kam fjalën për ngjarjet dhe lokacionet që janë marrë”, tha Drecun, duke shtuar se ia kanë dhënë Gjykatës Speciale “strukturën komplete te UÇK-së”.

    Në shtator, Drecun kishte thënë se kishte marrë mirënjohje nga prokurori i specializuar, David Schwendiman për ndihmën që ia kishte dhënë në këtë çështje Zyrës së Prokurorit të Specializuar.

    “Unë që në fazën e parë nga z. Schwendiman kam marrë mirënjohje, madje me dorë e ka shkruar mirënjohjen e veçantë, gjë që nuk është e zakonshme, sepse qartësisht i kemi ndihmuar shumë, së paku në atë fazën fillestare, që ata të ndajnë drunjtë nga mali, të shohin në cilat drejtime lëvizin”, kishte deklaruar ai.

    Drecun i kishte shërbyer me zell ish-presidentit të Serbisë dhe ish-komandantit suprem të forcave të armatosura serbe që bënë gjenocid në Kosovë e Bosnjë, Sllobodan Millosheviq, i cili ishte dënuar me 40 vjet burgim nga Tribunali Penal Ndërkombëtar i Hagës për krimet në ish-Jugosllavi.

    Deri tani, Gjykata Speciale po i gjykon vetëm shqiptarët

     

    Shtatë të akuzuarit e parë të Speciales, pesë prej të cilëve me aktakuzë të konfirmuar, janë shqiptarë, ish-udhëheqës politikë e ushtarakë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).

    Ish-eprori i UÇK-së, Salih Mustafa, ishte i pari nga ish-anëtarët e UÇK-së që u arrestua dhe transferua në paraburgimin e Gjykatës Speciale më 24 shtator. Ai akuzohet për një sërë veprash që cilësohen si krime të luftës dhe krime kundër njerëzimit.

    Dy ditë më vonë u arrestuan edhe dy ish-krerët e OVL-së së UÇK-së, kryetari Hysni Gucati dhe nënkryetari i kësaj organizate, Nasim Haradinaj. Ndonëse ende s’ka aktakuzë për ta, ata akuzohen për pengim në administrimin e drejtësisë, frikësim të dëshmitarëve, hakmarrje dhe shkelje të fshehtësisë së procedurës.

    Të fundit që u arrestuan dhe u dërguan në Hagë janë katër ish-udhëheqësit politikë e ushtarakë të UÇK-së, ish-presidenti Hashim Thaçi, ish-kreyparlamentarët Kadri Veseli e Jakup Krasniqi si dhe shefi i Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), Rexhep Selimi.

    Më 4 nëntor, ish-zëdhënësi i UÇK-së, Jakup Krasniqi u arrestua dhe u dërgua për në paraburgimin e Speciales. Për në të njëjtin destinacion, me një avion ushtarak, të nesërmen u nisën edhe ish-bashkëpunëtorët e tij në luftë, Hashim Thaçi, Kadri Veseli dhe Rexhep Selimi.

    Arrestimet erdhën pasi një gjyqtar i procedurës paraprake i Gjykatës Speciale, ka konfirmuar aktakuzat ndaj katër ish-krerëve të UÇK-së. Ata akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit. Aktakuza i bën përgjegjës Thaçin, Veselin, Krasniqin e Selimin për një sërë krimesh që pretendohet se janë kryer në disa qendra ndalimi gjatë viteve 1998-1999. Prokuroria e Specializuar i akuzon ata se kanë qenë ose duhej të ishin në dijeni të këtyre krimeve.

    Më 3 gusht të vitit 2015, me shumicë votash, deputetët e Kuvendit të Kosovës i kishin votuar ndryshimet kushtetuese që do ta mundësonin themelimin e Dhomave të Specializuara, që njihen si Gjykata Speciale. Pas një seance të gjatë, 82 deputetë kishin votuar pro themelimit të Gjykatës Speciale, pesë ishin kundër, ndërsa një abstenoi.

    Nga Rubrika
    Lajme14 Nëntor 2024
    Zëvendëskryeministri i parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog i Republikës së Kosovës, Besnik Bislimi, mirëpriti në takim zëvendës-shefen e misionit të...
    Lajme14 Nëntor 2024
    Komuna e Prishtinës, ka marr sot vendim për ndalimin e përdorimit të Doracakëve ‘Eduakimi Seksual dhe Shëndeti Riprodhues’ 1-5, 6-9 dhe 10-12...
    Lajme14 Nëntor 2024
    Sekretari i Përgjithshëm i LDK-së, Imri Ahmeti, për FrontOnline, iu është kundërpërgjigjur liderit të AAK-së¸Ramush Haradinajt, rreth idesë që pas zgjedhjeve të...
    Të tjera
    Lajme14 Nëntor 2024
    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e ka pritur në takim drejtoreshën e Institutit Demokratik Ndërkombëtar në Kosovë, Nancy Soderberg. “Kryeministri i Republikës...
    Lajme14 Nëntor 2024
    Senatori John Thune, mik i Federatës Vatra do të drejtojë Senatin Amerikan për 4 vitet e ardhshme, detyrë që e merr në...
    Lajme14 Nëntor 2024
    Sot rreth orës 14:00 në rrugën “Ibrahim Mazreku” në Malishevë është raportuar për gjuajtje me armë zjarri. Rastin e ka konfirmuar për...
    Lajme14 Nëntor 2024
    Deputeti i PDK-së, Mergim Lushtaku, ka reaguar ndaj propozimit të liderit të AAK-së, Ramush Haradinaj, që pas zgjedhjeve opozita ta ndan postim...
    Lajme14 Nëntor 2024
    Bashkëshortja e të akuzuarit Kastriot Mehmetaj, I.B., tha se natën kritike të 21 nëntorit 2021 kishte shkuar tek familja e saj, por...
    Lajme14 Nëntor 2024
    Koalicioni i OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve në Kosovë – KOMF ka thënë se s’duhet lejuar asnjë lëvizje që synon largimin e...

    FrontOnline, © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara.