×
  • Lajme
  • Lajme

    Gjuetia e paligjshme e Mytaher Haskukës përfundon në prokurori

    FrontOnline
    30 Tetor 2020

    Malet e Prizrenit po shihen si “thesar” për mbushjen e buxhetit komunal nga kryetari i komunës, Mytaher Haskuka.

    Afro një vit i është dashur komunës së Prizrenit që të finalizojë tenderin për dhënien me qera të “vend-gjuetive të përbashkëta që shtrihen në territorin e Prizrenit” për një periudhë 10 vjeçare.

    Që nga fillimi e deri të shpallja e fituesit, procesi ka qenë i kundërligjshëm. Kushtet në ofertë nuk u vendosën në harmoni me Ligjin dhe udhëzimet administrative mbi Gjuetinë. E krejt në fund, fitues u zgjodh një kompani që merret me shenjëtarinë e cila nuk i përmbushi kriteret që vetë komuna i vendosi, shkruan lajmi.net.

    Shoqatat e gjuetarëve që konkurruan për këtë ofertë, parashtruan ankesë për rishqyrtim në komunë, të bindura që u përzgjodh një kompani që nuk i plotësonte kriteret. Por, komuna u tha që të ankohen në Organin Shqyrtues të Prokurimit, pasi ata nuk kanë një organ për rishqyrtimin e ankesave që i përket këtyre llojeve të ofertave që kanë të bëjnë me dhënien e pronës publike me qera.

    OSHP-ja nuk ka pranuar të shqyrtojë ankesat e tyre, duke konsideruar se procedura nuk ka qenë e publikuar në e-prokurim, dhe se ajo është udhëhequr mbi bazën e ligjit për gjuetinë.

    Tash, kompanitë janë drejtuar tek Gjykata Themelore në Prishtinë dhe në Prokurori.

    Tenderin e fitoi kompania e nënkryetarit të AAK-së

    Njoftimi për ofertë për këtë tender është bërë në dhjetor të vitit 2019. Hapja e ofertave është bërë në shkurt të vitit 2020. Tek pas shtatë muajve Komuna ka bërë njoftim për tenderues te eliminuar, (27 shator). Më 06 tetor ka bërë njoftim për shpallje të fituesit, ku e ka shpallur fitues kompaninë “Iliria -2” shpk me pronar Jetmir Kabashi.

    Lajmi.net ka zbuluar se themelues i kompanisë “Iliria 2” është Lulzim Kabashi, nënkryetar i AAK-së dhe kryetar i degës se AAK-së për Prizren. Fillimisht, kjo kompani ishte themeluar si poligon i shenjëtarisë.

    Në deklarimin e pasurisë të vitit 2019 që Kabashi e kishte bërë në cilësinë e këshilltarit të jashtëm të kryeministrit Ramush Haradinaj, ka shkruar se nga kompania “Iliria 2” shpk merr pagë vjetore 12 mijë euro. Tek rubrika “posedimi i aksioneve në shoqëri komerciale” e ka shënuar edhe kompaninë “Iliria -2”, por nuk është e qartë a ka hequr dorë nga kjo kompani. Në këtë rubrikë decidivisht ka shkruar: “Iliria -2” SHPK (167.00 duhet të më paguhen nga Iliria -2, si pjesë e borxhit për aksionet e përbashkët deri më 2014”. Sidoqoftë, aksionar dhe përfaqësues në këtë biznes, sipas të dhënave të ARBK-së është Jetmir Kabashi, ndërsa është paraqitur edhe një njësi e këtij biznesi që është “Poligoni Iliria -2”.

    Lajmi.net e posedon një kopje të procesverbalit të hapjes së ofertave që është bërë më datë 04.02.2020. Sipas këtij dokumenti kanë garuar 6 subjekte, ku kanë paraqitur edhe çmimet e tyre.

    Lajmi.net e ka parë dokumentin komunal që ka të bëjë me kushtet e përcaktuara për ofertë. “Ftohën të gjithë të interesuarit, personat fizik dhe juridik, shoqatat, ndërmarrjet apo agjencionet vendore dhe të huaja të cilat i plotësojnë kushtet sipas Ligjit të gjuetisë dhe kushtet e përcaktuara me ketë Udhëzimit Administrativ 06/2009”, thuhet në hyrje të ofertës. Aty janë përcaktuar edhe kriteret për dhënie të kontratës. Kriter kryesor ka qenë “çmimi më i lartë”.

    Po sipas kësaj oferte, vend gjuetia e cila do të jepet me qera ka qenë e ndarë në tri pjesë (lote), vend gjuetia “Koretniku&Rrafshi” me sipërfaqe 26.351.05 hektar, vend gjuetia “Pashtriku” me sipërfaqe të përgjithshme 13, 648.60 hektar, dhe vend gjuetia “Sharri 1 dhe Sharri 2”, me sipërfaqe të përgjithshme të gjuetisë 10, 702.10 hektar.

    OSHP-ja nuk e trajton rastin, thotë se nuk ka bazë ligjore

    Organi Shqyrtues i Prokurimit me datë 13 tetor ka pranuar tri ankesa të operatorëve që kanë garuar për këtë tender. Ankesat kishin të bënin me pretendime për shkelje nga ana e Komunës. Më datë 19 tetor, OSHP-ja ka hedhur poshtë të gjitha pretendimet ankimore me arsyetimin se nuk është kompetente të trajtojë ato ankesa. “Organi Shqyrtues i Prokurimit ka analizuar ankesat dhe konstaton se ato nuk janë ne kompetencë të OSHP-së dhe të njëjtat duhet të hedhen si të pa lejuara. OSHP duke u bazuar në sqarimet e dhëna kupton se ky aktivitet i prokurimit nuk zhvilluar me procedura të prokurimit sipas LPP-së. Me sa është sqaruar nga AK, supozojmë se procedura në fjalë është zhvilluar me procedura për “zhvillimin e aktiviteteve për dhënien në shfrytëzim të pasurive të paluajtshme”, andaj në pajtim me nenin 108/A dhe nenin 109 të LPP-së ankesat e OE ankues hedhen si të pa lejuara”, thuhet në vendimin e OSHP-së.

    Sipas vendimit të OSHP-së, ishte drejtoria e Bujqësisë e Komunës së Prizrenit ajo që ka kërkuar të trajtohen këto ankesa. Por, fillimisht OSHP-ja ka kërkuar disa sqarime nga komuna.”Bazuar në ankesat të cilat ju kemi dërguar në attach dhe bazuar në procedurat tona të shqyrtimit, OSHP kërkon një sqarim detal lidhur si më poshtë: 1. Me çfarë procedura është udhëhequr ky aktivitet, 2 A është përmes e-prokurimit,3 A është përmes Ligjit të Prokurimit, a ka numër të aktivitetit të prokurimit, si dhe 4, Ku kanë të drejtë operatorët ekonomik të ankohen”, thuhet në pyetjet e OSHP-së drejtuar Komunës.

    Kurse më 12 tetor, drejtoria e Bujqësisë i ka dhënë OSHP-së këtë sqarim: “1. Procedura për këtë projekt të dhënë në shfrytëzim të vend gjuetie në Komunën e Prizrenit është zhvilluar në mbështetje të Ligjit për Gjueti nr 02/L53 të datës 16.12.2005 dhe UA nr. 06-2009. 2, Ky proces nuk është publikuar në e-prokurim, 3. Ky aktivitet nuk është zhvilluar sipas ligjit të prokurimit pasi që vet LPP e përjashton me një nen të caktuar zhvillimin e aktiviteteve për dhënie në shfrytëzim të pasurive të paluajtshme. 4. Meqë Komuna e Prizrenit nuk ka një organ të caktuar i cili do të merrej me shqyrtimin e ankesave eventuale, njëkohësisht një organ i tillë nuk ekziston as në nivelin qendror, në njoftimin për operatorin e suksesshëm (të propozuar për nënshkrimin e kontratës), OE pjesëmarrës në këtë aktivitet i kemi udhëzuar që ankesat eventuale t’i parashtrojnë te ju në OSHP”.

    Ministria thotë se komuna bëri shkelje

    Bajram Batusha, Udhëheqës i Divizionit për politika, gjueti e ekoturizëm në Ministrinë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural ka thënë për lajmi.net se Komuna ka bërë shkelje në këtë proces.

    “Themelimi dhe dhënia e vend gjuetive te përbashkëta në menaxhim bëhet sipas kritereve te Ligjit për Gjuetinë Nr.02/L-53, Neni 19,Themelimi i vend gjuetive te përbashkëta, përkatësisht Neni 34, Dhënia e vend gjuetive me qira ,si dhe duke u bazuar ne kriteret e Udhëzimit Administrativ Nr.10/207-Kriteret e caktimit te zonave dhe procedurat për themelimin e vend gjuetive,përkatësisht Udhëzimit Administrativ Nr,06/2009 Dhënia ne menaxhim e vend gjuetive te përbashkëta.

    Kërkesa e komunës së Prizrenit-Drejtoria për Bujqësi dhe Zhvillim Rural nuk ka qenë në harmoni me kriteret, ligjin dhe udhëzimet administrative të cekura lartë dhe komisioni për vlerësimin dhe shqyrtimin e kërkesave i ka rekomanduar komunës me shkresën Nr.1109/2 te datës 03.04.2020 dhe me shkresën e dyte Nr.3348/2 te datës 02.09.2020 që të bëjë rishikimin dhe rivlerësimin e përgatitjes se dosjes te tenderit dhe vazhdimin e procedurave për tenderim. Nuk është ligjore te lidhet kontrata me operatorin fitues pa pëlqimin paraprak te MBPZHR”, tha Batusha.

    Zyrtarët komunal shpallën fitues kompaninë e papërgjegjshme

    Duke u përzgjedhur fitues kompania “Iliria 2” shpk, komuna ka shkelur mbi kërkesat e veta të vendosura në dosjen e tenderit, pasi lajmi.net ka gjetur se ky operator ka qenë i pa përgjegjshëm. Madje nuk është përmbushur pika e parë e ofertës, pika 1.1 që ka të bëjë me “dëshmitë e regjistrimit të veprimtarisë”. Kjo pasi kompania nuk e ka aktivitet primar as sekondar gjuetinë. Aktivitet primar e ka: “Tregtia me pakicë e mallrave të tjera të reja, në dyqane të specializuara”, ndërsa sekondar : “Tregtia me shumicë jo e specializuar”. Ndërsa, “Gjuetia, vënia e pusive dhe aktivitetet e tjera shërbyese”, bënë pjesë tek aktivitete tjera të përshkrimit te aktivitetit të kompanisë. Pra, aktivitet primar i kompanive garuese është dashur të jetë: gjuetia, vënia e pusive dhe aktivitet tjera shërbyese, ndërsa aktivitet sekondar: rritja e derrave.

    Po ashtu, siç kanë dëshmuar kompanitë ankuese që kanë garuar në këtë tender, kompania fituese nuk ka përmbushur as pikën 1.3 e kërkuar nga Kuvendi Komunal në kushtet e tenderit: dëshmi mbi përvojën e punës në menaxhimin dhe rezultatet të arritura në veprimtari të ngjashme- për subjektet tjera juridike dhe fizike si në pylltari, bujqësi, veterinë, turizëm ekologji: Në ofertën e dorëzuar, kompania nuk ka ofruar asnjë dëshmi mbi përvojën e punës në menaxhimin dhe rezultatet e arritura në veprimtari të ngjashme për subjektet tjera juridike dhe fizike si në pylltari, bujqësi, veterinë, turizëm, ekologji.

    Po ashtu, kompania fituese nuk ka përmbushur as pikën 1.4 “Dëshmi për shërbimet profesionale që do të angazhohen në menaxhim, duke përfshirë numrin e të punësuarve –gjuetar të kualifikuar, roje gjuetie, profesionist të flotës dhe faunës”. Në ofertën e dorëzuar te gjuetarët e kualifikuar mungon kontrata e punës apo marrëveshje për angazhim në këtë projekt, dhe në ofertën e prezantuar mungon stafi profesional i flotës dhe faunës në angazhim në këtë projekt.

    Pika 1.5 “programet për synimet e menaxhimit dhe zhvillimit të vend gjuetisë-mbrojtja dhe ruajtja, kultivimi dhe shtimi i kafshëve të egra”. Pra, tek programi për synimet e menaxhimit dhe zhvillimit të vend gjuetisë, mungon projekti detal duke cekur mbrojtjen dhe ruajtje të kafshëve, kultivimi dhe shtimi i kafshëve pa pasur një analizë dhe program për angazhim në këtë projekt.

    Po ashtu, mungon pëlqimi nga Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural që kompania e rekomanduar për kontratë i plotëson të gjitha kriteret sipas Ligjit Nr 02/L53 për gjuetinë GZ nr 8/01 Janar 2007 dhe Udhëzimin Administrativ nr .06/2009 për dhënien në menaxhim të vend-gjuetive të përbashkëta.

    Komuna nuk flet për tenderin, kompanitë e padisin në prokurori

    Lajmi.net ka kërkuar përgjigje edhe nga Komuna e Prizrenit lidhur me realizimin e këtij projekti, por komuna nuk ka pranuar të përgjigjet në asnjërën prej pyetjeve

    Avokati Alija Ajro, përfaqësues i operatorit garues nga shoqata e gjuetareve “Bistrica –Zhupa” thotë se është zgjedhur një kompani që nuk i ka përmbushur kërkesat.

    “OSHP-ja nuk e ka trajtuar ankesën tonë, as tjerat, pasi ka thënë se nuk është kompetent por ka lënë mundësi që t’i drejtohemi Gjykatës Themelore në Prishtinë –Departamentit për çështje Administrative në afat prej 30 ditëve. E di që Komuna nuk ka pasur as pëlqim nga Ministria e Bujqësisë që të shpallin tender. Ketë shkelje e kemi vërejtur pas ofertimit. Së fundmi kam marrë njoftim nga drejtoria e Bujqësisë ku më kanë njoftuar se ky projekt është prap në tenderim. Si duket ata e kanë vërejtur se kanë pasur shumë ankesa. Por, do të shoh si qëndron puna”, tha Ajro.

    Jashar Biba përfaqësues i ShGj “Sharri”, i cili ka garuar për këtë projekt tha se ka ushtruar padi ndaj komunës.

    “Pasi e kanë shpallur fituesin, ne jemi drejtuar prapë tek Komuna tek zyra për ankesa. Po ashtu kemi bërë padi në Gjykatën Themelore, kemi kërkuar nga ajo masën e sigurisë që komuna mos të ndërmarr masa. E kemi përgatitur dokumentacionin për në Prokurori dhe kemi përgatitur dokumente që t’i dërgojmë në Agjencinë Kundër Korrupsionit. Kjo për arsye se e gjithë procedura ka qenë e kundërligjshme dhe ka qenë mashtrim. Në takimin e fundit që e kemi pasur me drejtorin e Bujqësisë, ka thënë se ankesat e juaja mund t’i drejtoheni në OSHP. Pastaj ky institucion na thanë se nuk kanë të bëjnë me këtë çështje sepse nuk ka qenë prokurim elektronik dhe se nuk ka qenë e implikuar zyra e prokurimit në këtë rast”, tha Biba për lajmi.net.

    Ai tha se aplikimet për këtë tender i kanë marrë në kopje fizike në zyrën e prokurimit, ani pse institucioni nuk ka qenë i implikuar në projekt.

    “Komisioni që e ka bërë hapjen e ofertave është dashur të jetë profesional, nuk ka qenë ashtu. Ata as që kanë verifikuar dokumentacionin a është origjinal, apo jo. Ne dyshojmë se edhe dy kopje tona që i kemi dorëzuar dhe të dy operatorëve të tjera, janë prerë më gërshërë dhe janë hap komplet dosjet, gjë që nuk guxojnë të hapën. Aty ka edhe plotë shkelje tjera të ligjit mbi gjuetinë”, shtoi tutje Biba.

    Sa i përket pikës ku kërkohet menaxhimi dhe zhvillimi i gjuetisë, Biba tha se vend gjuetia Sharri 1 dhe Sharri 2 është pronë private në të cilën ata si shoqatë kanë investuar në ndërtimin e objekteve dhe menaxhim dhe zhvillimin e gjuetisë në vlerë mbi 200 mijë euro, dhe se më këtë komuna e Prizrenit ia lëshon me qira pronën private kompanisë tjetër.

    Nga Rubrika
    Lajme15 Nëntor 2024
    Kryetari i AKR-së, Behgjet Pacolli ka reaguar pas ndërprerjes së ndeshjes mes Kosovës dhe Rumanisë në Bukuresht. Ndeshja është ndërprerë pas thirrjeve...
    Lajme15 Nëntor 2024
    Inspektorati i Punës, ka kryer kontrolla në pompat e derivateve dhe lokaleve të masazheve. Kryeinspektori i Inspektoratit Qendror të Punës, Hekuran Nikçi...
    Lajme15 Nëntor 2024
    Deputetja e parlamentit të Suedisë, Helena Bouveng dhe ambasadori suedez në Prishtinë, Jonas Westerlund, kanë deklaruar se Kosova do ta ketë mbështetjen...
    Të tjera
    Sport15 Nëntor 2024
    Lojtarët e Kosovës kanë vendosur të lëshojnë fushën pas provokimeve dhe thirrjeve raciste nga tifozët ultras të Rumanisë kur ndeshja ishte në...
    Vip15 Nëntor 2024
    Xuxi i ka kërkuar falje vëllait të Xhenetës, Xhaferit, lidhur me deklaratën e tij për familjen, dhe ia ka falur! “Hallall ta...
    Vip15 Nëntor 2024
    Xuxi ka përqafuar Xhenetën dhe vëllain e saj që erdhi në shtëpinë më të famshme në vend. Të dy ia pranuan kërkimfaljen...
    Vip15 Nëntor 2024
    Vëllai i Xhenetës, Xhaferi, ka hyrë brenda shtëpisë më të madhe në vend duke iu drejtuar Xuxit për fjalët që ky tha....
    Vip15 Nëntor 2024
    Vëllai i Xhenetës, Xhaferi, ka hyrë në shtëpi për të takuar motrën e tij. Xheneta ishte e ngrirë me komandë nga ‘Vëllai...
    Vip15 Nëntor 2024
    Xuxi ka kërkuar falje Xhenetës lidhur me deklaratën e tij për familjen kësaj të fundit. Xuxi, i cili i ka thënë Xhenetës...

    FrontOnline, © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara.