Sekretari dhe anëtari i Kryesisë së PDK-së, Betim Gjoshi, ka akuzuar të parin e VV-së, Albin Kurti për “mbjellje të urrejtjes në mes të shqiptarëve”.
Gjoshi, në një postim në Facebook, ka përmendur edhe raportimet e fundit se Prokurori i Specializuar e përdori deklaratën e ish-këshilltarit të Kurtit për urdhërarrestin ndaj ish-krerëve të UÇK-së.
Postimi i plotë:
Miq të mi!
Kush ka dilema se kush është Albin K. po ju tregoj në pak pika –
Haki Abazin që i viziton Arkivat e Ushtrisë Kriminale të Serbisë e bëri Zëvendës të vetin në Qeveri.
Shkëlzen Gashin që e akuzon Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës e bëri Këshilltar Politik të vetin në Qeveri.
Në ditën që e liroi nga detyra për shkak të presionit publik, Albin K. e inkurajonte Shkëlzen Gashin që të vazhdonte debatin akuzues kundër UÇK-së prej një vendi tjetër.
Sot e kemi lajmin tjetër se prapë shqiptarët që janë viktima të Ushtrisë Kriminale të Serbisë janë fajtorë sepse reaguan me zemërim kundër deklaratave akuzuese dhe shpifëse të këshilltarit të Albin K.
Miq të mi!
Krejt këto zhvillime rreth vendit tonë janë “dhuratë” e një njeriu që vetëm urrejtje ka ditur të mbjellë në mesin e shqiptarëve.
Këto janë ditë të rënda, por jam shumë optimist se do t’i kalojmë ashtu siç kemi ditur në të kaluarën.