Pesë persona, njëri sulmues, janë konfirmuar të vdekur dhe të paktën 17 të tjerë janë plagosur nga sulmi terrorist që ndodhi mbrëmë në gjashtë lokacione të Vjenës.
Në mesin e të vrarëve është edhe njëri prej sulmuesve, i cili sipas ministrit të brendshëm austriak është me dy nënshtetësi, nga Maqedonia e Veriut dhe Austria.
Sulmuesi më prejardhje shqiptare, i cili u qëllua për vdekje është vetëm 20-vejçar.
Sipas mediave të huaja, përpos të dyshuarit me prejardhje nga Maqedonia e Veriut, janë edhe disa të dyshuar të tjerë, një prej tyre me prejardhje nga Kosova.
I njëjti ka lindur në Austri por thuhet te ketë pasur prejardhje nga Kosova dhe kishte të kaluar kriminale.
Në mes të korrikut, 20 vjeçari Kujtim Fejzullahu nga Maqedonia e Veriut kishte udhëtuar bashkë me të dyshuarin tjetër me prejardhje nga Kosova për në Sllovaki për të marrë municion dhe armë të llojit AK-47.
Makina në fjalë i përkiste nënës së të dyshuarit me prejardhje kosovare, e gjithë këta ishin të njohur në skenën radikale për muaj, madje edhe vite të tera.
Gjatë sulmit, 20 vjeçari me prejardhje nga Maqedonia e Veriut thuhet të ketë ecur nëpër qytetin e Vjenës gjatë tërë kohës i armatosur me AK-47, një pistoletë dhe një hanxhar.
Dy të moshuar, një kalimtare e re dhe një kamariere janë viktimat e sulmit në Vjenë, ka bërë të ditur sot kancelari austriak, Sebastian Kurz.
Policia e Vjenës mbrëmë ka konfirmuar se ka pasur të shtëna në gjashtë lokacione të ndryshme të qytetit, ku cak i sulmit ishe Sinagoga.
Ata kanë treguar në mënyrë kronologjike atë që tmerroi qytetarët e Vjenës dhe jo vetëm.
”* 20:00: disa të shtëna, duke filluar nga Seitenstettengasse
* disa të dyshuar të armatosur me pushkë
* Të shtëna në gjashtë lagje të ndryshme
* disa të plagosur (përfshirë 1 oficer)
* një i dyshuar u qëllua dhe u vra nga oficerët e policisë”, njoftoi mbrëmë policia.
Siç kanë njoftuar autoritete austriake personi i armatosur i qëlluar nga policia jashtë Kishës së “St Ruper” mbante një rrip shpërthyes dhe një qese të mbushur me një sasi të madhe municioni.
Kancelari austriak, Sebastian Kurz, më herët shkroi në Twitter se sulmet terroriste që kanë ndodhur në Vjenë, nuk janë mosmarrëveshje mes krishterëve dhe myslimanëve apo austriakëve dhe emigrantëve.
“Ne gjithmonë duhet të jemi të vetëdijshëm se kjo nuk është një mosmarrëveshje midis të krishterëve dhe myslimanëve ose midis austriakëve dhe emigrantëve. Kjo është një luftë midis shumë njerëzve që besojnë në paqe dhe atyre pak që duan luftë”, ka shkruar Kurz.
Shteti austriak ka shpallur tri ditë zi duke filluar nga sot.
Ndërsa një minutë heshtje do të bëhet në mesditë, për të kujtuar viktimat dhe flamujt në ndërtesat zyrtare do të ulën në gjysmë shtizë.