Dy vozitësve në Gjilan, policia u ka marrë lejen nga tre muaj, i ka gjobitur, dhe njërit nga ta i ka shqiptuar edhe tri pikë negative.
Njëri nga shoferët këtë e pësoi për tejkalim shpejtësie, e tjetri për vozitje nën ndikim të alkoolit.
“Njësiti Rajonal i Komunikacionit Rrugor nga Drejtoria Rajonale e Policisë në Gjilan ka shqiptuar gjobën në vlerë prej treqind (300) euro, tri (3) pikë negative dhe masën e përkohshme të ndalim drejtimit të mjeteve motorike në afat prej tre (3) muaj ndaj kundërvajtësit i cili në zonën ku kufizimi i shpejtësisë me shenjë të trafikut është 60 km/h është hasur duke vozitur 113 km/h”, thuhet në njoftim.
“Në rastin tjetër gjobën në vlerë prej dyqind (200) euro dhe masën e përkohshme të ndalim drejtimit të mjeteve motorike në afat prej tre (3) muaj ndaj kundërvajtësit i cili është hasur duke drejtuar automjetin nën ndikim të alkoolit me 0.59 ‰, matje e cila është bërë me alkool test”, shtoi policia.