Klanin mund ta kenë inspirim, që në Kosovë të fillojnë një ndërtim.
Kompania e njohur me seli në Zvicër “Lika Group”, themeluar dhe udhëhequr nga Esat Lika, bashkë me arkitektë botërorë zbarkuan të premtën në mesditë në objektin e televizionit, Klan Kosova.
Këtu u pritën nga anëtari i bordit të Devolli Corporation, Adriatik Kelmendi, i cili i njoftoi mbi historinë e ndërtesës, vlerat arkitektonike të së cilës i lanë përshtypje të mëdha ndërtuesve ndërkombëtarë.
“Jemi këtu së bashku me kompaninë ‘LIKA’ që të studiojmë çfarë mund të zhvillojmë së bashku, unë jam shumë i impresionuar me ndërtesën e televizionit. Mendoj se është shumë interesant dhe projekt shumë ndërkombëtar”, tha arkitekti Claudio Lo Riso.
Plani është që në Prishtinë këta të ndërtojnë diçka ikonike që do të bëhet simbol identifikues i kryeqytetit.
“Është kënaqësi e madhe që të jemi këtu në Prishtinë, neve na ka ftuar kompania ‘LIKA’, dhe po shikojmë disa vende këtu që të ndërtojmë diçka të bukur, dhe do të ishte nder për ne që të bëjmë diçka të mirë në këtë vend të mrekullueshëm”, ka thënë arkitekti Tasso Kalfopoulos.
Kompania me renome botërore po i analizon projektet që mund t’i realizojë e për këtë kanë filluar takimet me Komunën e Prishtinës.
“Një ndër mundësitë është përgatitja e Prishtinës për Lojërat Mesdhetare, për këtë na ka treguar kryetari i komunes për projektet që i ka përgatitur dhe ne po i analizojmë”, u shpreh Ertion Axha, përfaqësues i “Lika Group”.
Kjo kompani njihet tashmë si njëra ndër më të mëdhatë në fushën e ndërtimtarisë dhe patundshmërive në Zvicër, me shumë projekte të suksesshme në Evropë, një ndër to edhe hoteli prestigjioz në Davos të Zvicrës.