Gjigantët e futbollit evropian do të zbresin sonte në fushën e blertë për t’i zhvilluar ndeshjet përkatëse të xhiros së pestë të fazës së ligës së Ligës së Kampionëve.
Pa diskutim, vëmendja e të gjithëve sonte do të jetë e fokusuar kah Munichu, ku Bayerni e pret Paris Saint-Germainin.
Këto dy skuadra nuk e kanë nisur dhe aq mirë sezonin në formatin e ri të Championsit.
Bavarezët e gjejnë veten në vendin e 17-të me 2 fitore e 2 humbje, respektivisht duke i grumbulluar 6 pikë, kurse parisienët në atë të 25-të, me 1 fitore, 1 barazim e 2 humbje, me 4 pikë.
Andaj, të dy ekipet kanë nevojë për pikë pasi synojnë të përfundojnë në Top 8, që siguron shkuarje direkte në të tetën e finales.
E sonte do të luajnë edhe ekipet tjera të mëdha.
Milani do ta vizitojë Slovan Bratislavën në Sllovaki në kërkim të fitores së tretë radhazi.
Sidomos, triumfi në “Santiago Bernabeu” ndaj Real Madridit e ka rritur motivin tek “Rossoneri”.
Barcelona po ashtu llogaritet favorite ndaj Brestit në duelin e sontëm.
Por, gjiganti katalunas s’duhet ta nënvlerësojë aspak kundërshtarin pasi ekipi francez është ndër të paktit që nuk ka humbur ende.
Edhe Interi shihet si favorit absolut kundër Leipzigut, i cili i ka pësuar katër humbje në po aq takime.
Kurse, “Nerazzurri” gjenden në vendin e pestë me 10 pikë, prej tyre 3 fitore e 1 barazim.
Manchester City e ka mundësinë sonte që t’i japë fund serisë së zezë pa fitore me një triumf eventual ndaj Feyenoordit.
“Citizens” po kalojnë nëpër një periudhë të errët, ndërsa në Champions gjenden në vendin e 10-të me 2 fitore, 1 barazim e 1 humbje.
Arsenali nuk do të ketë punë aspak të lehtë sonte pasi do të ballafaqohet me Sporting Lisbonën, i cili e sheh veten në vendin e dytë me 3 fitore e 1 barazim, pa humbje.
“Gunners” nga ana e tyre janë në vendin e 12-të me 2 fitore, 1 barazim e 1 humbje.
Pjesa dërrmuese e ndeshjeve të sontme do të nisin në orën 21:00./Express