Marrëdhënia e fortë mes Kosovës dhe Gjermanisë është ndërtuar mbi vlerat e përbashkëta të lirisë, demokracisë dhe paqes së qëndrueshme, tha të martën në Berlin Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Republikës së Kosovës, Meliza Haradinaj-Stublla, pas pritjes zyrtare që i bëri homologu i saj, Ministri i Punëve të Jashtme të Republikës Federale të Gjermanisë, Heiko Maas.
“Berlini mbetet kryeqyteti ynë kryesor Evropian dhe shtet aleat për Kosovën dhe popullin e saj”, tha pas këtij takimi Kryediplomatja Haradinaj-Stublla, e cila ndodhet në vizitën e saj të parë zyrtare në Gjermani, të realizuar me ftesë të Ministrit Federal të Punëve të Jashtme.
“I shpreha Ministrit Maas mirënjohjen e thellë për ndihmën e Qeverisë gjermane dhënë Kosovës gjatë pandemisë, dhe për përkrahjen palëkundur për vendosjen në agjendë të Liberalizimit të Vizave gjatë Presidencës Gjermane të Këshillit të Bashkimit Evropian”.
Ministrja Haradinaj-Stublla dhe Ministri Maas diskutuan mbi gjendjen e shkëlqyeshme të marrëdhënieve dypalëshe dhe u dakorduan për thellim të mëtejmë të bashkëpunimit në fusha të interesit të përbashkët politik e ekonomik, e poashtu edhe në përfundimin e njohjes së patent-shoferëve.
Ministri Maas nga ana e tij shprehu vendosmërinë që roli i Gjermanisë në dialogun Kosovë – Serbi të vazhdojë të jetë aktiv dhe mbështetës në finalizimin e marrëveshjes gjithpërfshirëse ligjërisht të obligueshme për të dyja palët.
Edhe më këtë rast, Ministrja Haradinaj-Stublla nënvizoi nevojën urgjente të definimit të dialogut në tre elemente kyçe: kohëzgjatjen, parimet, dhe objektivën finale, e cila sipas shefes së diplomacisë kosovare, domosdoshëm duhet të rezultojë me njohje reciproke.