Në rast se Kosova nuk e heq ndalesën e importit të mallrave nga Serbia, Procesi i Berlinit mund të mbetet pa shtetin më të ri në Ballkan.
Ky është paralajmërimi të cilin e ka bërë Ambasada e Gjermanisë në Kosovë.
“Kjo përfshin zhbllokimin e vendimmarrjes së CEFTA-s. Gjermania ka negociuar një paketë marrëveshjeje për të hequr UNMIK-un nga vendimmarrja e CEFTA-s, në mënyrë që Kosova të mund të përfaqësojë veten. Në të njëjtën kohë, Kosovës i kërkohet heqja e ndalimit të importit të mallrave nga Serbia. Nëse zgjidhja e CEFTA-s bëhet e pamundur nga Kosova, do të duhet të ndodhë pa të. Do të jetë vendimi i Kosovës në cilat pjesë të bashkëpunimit rajonal do të vazhdojë të marrë pjesë,” thuhet nga Ambasada e Gjermanisë në Kosovë për Dukagjinin.
Ky qëndrim dhe gjuha e përdorur nga gjermanët janë të pritshme sipas Egzon Osmanajt, menaxheri programesh në Fondacionin Friedrich Ebert.
“Unë mendoj se Kosova tashmë e ka dëshmuar që të gjitha ato paralajmërime të gjitha ato masa që i ka ndërmarrë kanë qenë të drejta dhe të sakta dhe mendoj se i njëjti narracion dhe insistim duhet të vazhdojë nga institucionet tona, për me tregu që të gjitha këto barriera që janë vendosur në këtë rast nga ana jonë nuk kanë të bëjnë me barriera të tregtisë së lirë, janë puro çështje sigurie , dhe unë besoj që këtë e kuptojnë edhe partnerët tanë ndërkombëtarë,” tha Osmanaj.
Osmanaj nuk i vë në dyshim qëllimet e mira të aleatëve, por metodat që ata po i përdorin.
Ndryshe mendon ish-zëvendës ambasadori i Kosovës në Gjermani.
“Kosova duhet të negociojë sidomos kur është fjala të fusnota, për shkak se edhe fustona është më demode të them të drejtën. O futemi si Kosovë aty ose duhet të gjejë njëfar modusi Qeveria e cila e ka përgjegjësinë për këtë çështje, mirëpo ne nuk e kemi forcën pastaj, se ne nuk jemi as Amerikë, as Francë, as Gjermani, ne nuk e kemi forcën që ta luajmë këtë lojë sepse mund të jetë e rrezikshme për ne, mirëpo duhet të ulemi në tavolinë të tregohet konstruktive dhe të negociojë si partner,” tha ish-zëvendës ambasadori i Kosovës në Gjermani, Blerim Canaj.
Megjithatë Gjermania nuk është kaq e zëshme kur është fjala për Bosnjë Hercegovinën e cila tash e dy vjet nuk e respekton marrëveshjen që parasheh lëvizjen vetëm më letërnjoftime në Ballkanin Perëndimor.
Për këtë qasje dhe sjellje ndryshe, Osmanaj thotë se ndërlidhet me ndryshimet gjeopolitike dhe sferën e sigurisë, ndërsa ish-diplomati Canaj e ndërlidh edhe me funksionin e shtetit boshnjak dhe strukturën etnike që më pas i prodhon vendimet politike.
Në dhjetëvjetorin e Procesit të Berlinit i cili ishte nismë e ish-kancelares Angela Merkel, pikërisht në kryeqendrën gjermanë më 14 tetor mbahet samiti i radhës ku pritet të aprovojnë planin e ri katërvjeçar përfshirë marrëveshjet e reja në fushën e arsimit.