Ambasadori i Kosovës në Shkup, Gjergj Dedaj, i ka dërguar një e-mail zyrtar Prindon Sadriut, bashkëshortit të ushtrueses së detyrës së presidentes Vjosa Osmani, i cili është pjesë e stafit diplomatik në këtë Ambasadë, të cilit i kërkon që ta respektojë urdhëresën e MPJD-së për paanësi në procesin elektoral për zgjedhjet e jashtëzakonshme të Kosovës të datës 14 shkurt 2021.
Sipas disa komunikimeve elektronike mes Dedajt dhe Sadriut të datës 25 janar 2021, të cilat i posedon portali “Front Online”, ambasadori i Kosovës në Shkup shkruan se Sadriu është i përfshirë drejtëpërdrejt në këtë proces elektoral.
“Në bazë të të dhënave dhe fakteve, ju z. Sadriu jeni të përfshirë drejtëpërdrejt në këtë proces elektoral, duke cenuar paanësinë dhe neutralitetin e stafit diplomatik për zgjedhjet e ardhshme në Republikën e Kosovës. Edhe ju si diplomat duhet ta respektoni paanësinë”, shkruan mes tjerash Dedaj.
Madje në një letër dërguar Ministrisë së Punëve të Jashtme, Dedaj shkruan se Sadriu asnjë të premte nuk paraqitet në vendin e tij të punës në Ambasadën e Kosovës në Shkup, siç thotë, me “arsyetime të pabaza ose duke mos informuar për mosardhjen e tij.
Përndryshe, bashkëshortja e Sadriut, ushtruesja e detyrës së presidentes, Vjosa Osmani, është pjesë e listës zgjedhore bashkë me Lëvizjen “Vetëvendosje”, ku e mbanë numrin 2 në listë, pas Albin Kurtit.
Portali “Front Online” në lidhje me këto e-maila ka bërë përpjekje t’i kontaktojë nëpërmjet telefonit zyrtar Sadriun dhe Dedajn, por, kontakti me ta ka qenë i pamundur.