Mesditën e së shtunës u konfirmuan edhe 711 raste të reja me COVID-19 në Kosovë. Të shëruar u konfirmuan 721 persona, ndërkaq edhe numri i vdekjeve ishte i lartë. 19 persona humbën betejën me koronavirusin, duke çuar kështu në 904 numrin e të vdekurve, shkruan Express
Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik të Kosovës të shtunën ka njoftuar se janë testuar 1 mijë e 633 mostra, nga të cilat 711 kanë rezultuar pozitive.
“Gjatë 24 orëve të fundit, në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKShPK dhe laboratoret private me metodën RT-PCR, janë testuar gjithsej 1.633 mostra të marra nga ShSKUK dhe gjurmimi i kontakteve të rasteve në terren, prej të cilëve rezultojnë 711 raste pozitive”, ka njoftuar IKSHPK.
Po ashtu, IKSHPK njoftoi se janë raportuar 19 raste të vdekjes, duke çuar në 904 numrin e viktimave si pasojë e koronavirusit.
“Brenda 24 orëve janë raportuar 19 raste të vdekjes me SARS CoV-2 pozitiv. Rastet e vdekjes janë nga komunat: Gjilan 4 raste (78, 71, 67, 64 vjeç), Prizren 4 raste (75, 72, 72, 62 vjeç), Vushtrri 2 raste (80, 72 vjeç), Drenas 1 rast (75 vjeç), Ferizaj 1 rast (56 vjeç), Fushë-Kosovë 1 rast (73 vjeç), Gjakovë 1 rast (77 vjeç), Klinë 1 rast (57 vjeç), Malishevë 1 rast (66 vjeç), Pejë 1 rast (78 vjeç), Prishtinë 1 rast (78 vjeç), Skenderaj 1 rast (52 vjeç)”, thuhet në njoftim.
Numri total i rasteve pozitive të shtunën ka shkuar në 33 mijë e 588, nga ta janë shëruar 20 mijë e 493, derisa raste aktive janë 12 mijë e 191.
“Numri total i rasteve pozitive është 33.588 raste nga 129.355 persona të dyshimtë në virusin SARS-CoV-2 dhe 904 raste të vdekjes. Gjatë 24 orëve të fundit, janë shëruar 721 pacientë derisa numri i përgjithshëm i të shëruarve deri më sot është gjithsej 20.493 raste, kurse numri i rasteve aktive është 12.191”, thekson njoftimi.
Ndërkohë, komuna me më së shumti raste vazhdon të jetë Prishtina. Të shtunën në kryeqytet u konfirmuan edhe 309 raste të reja me koronavirus.
“Rastet pozitive janë nga komuna Prishtinë 309 raste, Pejë 63 raste, Ferizaj 33 raste, Lipjan 30 raste, Gjilan 29 raste, Podujevë 29 raste, Gjakovë 28 raste, Prizren 22 raste, Fushë-Kosovë 21 raste, Klinë 18 raste, Deçan 14 raste, Suharekë 14 raste, Kaçanik 11 raste, Obiliq 11 raste, Istog 10 raste, Kamenicë 10 raste, Malishevë 10 raste, Shtime 9 raste, Viti 9 raste, Rahovec 8 raste, Drenas 6 raste, Graçanicë 5 raste, Vushtrri 5 raste, Hani i Elezit 3 raste, dhe me nga 1 rast Dragash, Mitrovicë, Novobërdë”, ka bërë të ditur IKSHPK.
Ndërkohë, Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik të Kosovës ka apeluar te qytetarët që t’i respektojnë masat për parandalimin e përhapjes së koronavirusit.
“Mbuloni gojën dhe hundën me maskë! Mbani higjienën! Respektoni distancën!”.