Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës të shtunën ka njoftuar se janë shënuar 491 raste pozitive me COVID-19, janë shëruar 62 pacientë, ndërkaq kanë vdekur 12.
IKSHPK njoftoi se në 24 orët e fundit janë testuar 1 mijë e 137 mostra të marra nga ShSKUK dhe gjurmimi i kontakteve të rasteve në terren.
“Gjatë 24 orëve të fundit, në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKShPK dhe laboratoret private me metodën RT-PCR, janë testuar gjithsej 1.137 mostra të marra nga ShSKUK dhe gjurmimi i kontakteve të rasteve në terren, prej të cilëve rezultojnë 491 raste pozitive”, thuhet në njoftimin e IKSHPK.
Ndërkohë, të shtunën u raportua për 12 raste të vdekjes si pasojë e koronavirusit.
“Brenda 24 orëve janë raportuar 12 raste të vdekjes me SARS CoV-2 pozitiv. Rastet e vdekjes janë nga komunat: Prizren 3 raste (72, 69 dhe 64 vjeç), Gjilan 3 raste (69, 66 dhe 65 vjeç), Prishtinë 2 raste (të dytë 79 vjeç), Drenas 1 rast (64 vjeç), Ferizaj 1 rast (71 vjeç), Klinë 1 rast (78 vjeç) dhe Suharekë 1 rast (67 vjeç)”, bëri të ditur IKSHPK.
Të shtunën ka shkuar në 23 mijë e 425 numri i rasteve pozitive që nga fillimi i pandemisë, i vdekjeve në 744, derisa deri më tani janë shëruar 16 mijë e 47 persona.
“Numri total i rasteve pozitive është 23.425 raste nga 104.976 persona të dyshimtë në virusin SARS-CoV-2 dhe 744 raste të vdekjes. Gjatë 24 orëve të fundit, janë shëruar 66 pacientë derisa numri i përgjithshëm i të shëruarve deri më sot është gjithsej 16.047 raste, kurse numri i rasteve aktive është 6.634”, ka njoftuar IKSHPK.
Komuna me më së shumti raste pozitive në raportimin e fundit të IKSHPK’së është Prishtina me 215 persona të infektuar.
“Rastet pozitive janë nga komuna Prishtinë 215 raste, komuna Gjilan 57 raste, komuna Pejë 31 raste, komuna Fushë Kosovë 25 raste, komuna Gjakovë 23 raste, komuna Podujevë 21 raste, komuna Mitrovicë 17 raste, komuna Prizren 17 raste, komuna Vushtrri 12 raste, komuna Viti 11 raste, komuna Deçan 8 raste, komuna Lipjan 8 raste, komuna Skenderaj 8 raste, komuna Drenas 7 raste, komuna Kamenicë 7 raste, komuna Obiliq 7 raste, komuna Klinë 6 raste, komuna Istog 5 raste, komuna Rahovec 3 raste dhe me nga një rast komunat Dragash, Ferizaj dhe Shtime”, thekson njoftimi.