Drejtoresha e Klinikës Infektive në QKUK, Lindita Ajazaj-Berisha ka bërë të ditur se në klinikë janë të shtrirë 106 pacientë me coronavirus.
Drejtoresha theksoi se numri i pacientëve që janë me oksigjeno-terapi është 60 deri në 70 pacientë.
“Ne në klinikë kemi 106 pacientë, 60 deri 70 janë me oksigjen, 6 me respiratorë, ka raste që lirohen në shtëpi ka raste që pranojmë, kështu i menaxhojmë. Ne falënderojmë Qeverinë për përkrahjen që na kanë dhënë gjatë këtyre tetë muajve”, shtoi ajo.
Ajazaj-Berisha këtë deklaratë e bëri pas vizitës së kryeministrit Avdullah Hoti në Klinikën Infektive, ku ky i fundi u zotua se do të angazhojnë mjekë shtesë për përballje me pandeminë COVID-19.
Gjithashtu, kryeministri Hoti ditën e mërkurë ka bërë të ditur masat e reja antiCovid, që pritet të votohen në mbledhjen e radhës të Qeverisë, ndërsa në fuqi do të hyjnë ditën e premte.