Një Ferrari i vjedhur 28 vjet më parë nga ish-piloti i Formula 1, Gerhard Berger, është gjetur së fundmi nga Policia Metropolitane e Londrës.
Ferrari F512M i kuq me vlerë 350 mijë paund (mbi 400 mijë euro), ishte një nga dy veturat e vjedhura italiane sportive, ndërsa pronarët e tyre ishin pjesë e eventit Grand Prix të San Marinos të mbajtur në Inmola, Itali, në vitin 1995.
Njësia e Krimeve të Organizuara të Automjeteve zbuloi se vetura ishte dërguar në Japoni menjëherë pasi ishte vjedhur, ndërsa në fund të vitit 2023 ajo është parë në rrugët e Britanisë së Madhe.
Vetura tjetër mbetet e zhdukur dhe ende nuk është bërë asnjë arrestim që lidhet me të, shkruajnë mediat e huaja, transmeton FrontOnline.
Policia e cila bashkëpunoi me Agjencinë Kombëtare të Krimit dhe me prodhuesin e veturave, e zbuluan historinë e dy automjeteve të vjedhura brenda katër ditëve.
“Ferrari i vjedhur i cili kap vlerën e 350 mijë paundëve ka munguar për më shumë se 28 vjet përpara se ne ta gjenim për vetëm katër ditë. Kërkimet tona ishin të mundimshme dhe përfshinin kontakte me autoritete nga e gjithë bota”, tha drejtuesi i hetimit, PC Mike Pilbeam.
“Ne punuam me partnerët tanë duke përfshirë Agjencinë Kombëtare të Krimit, Ferrarin, si dhe shitësit ndërkombëtar të veturave, dhe ky bashkëpunim ishte i dobishëm për ta ndaluar veturën të largohej nga vendi”, shtoi Pilbeam.
Ndryshe, në vitin 2023, Njësia e Krimeve të Organizuara të Automjeteve gjeti 418 automjete të vjedhura që së bashku arrinin vlerën e 31 milionë paundëve (mbi 35 milionë euro).
Bëhet e ditur se vjedhja e 326 prej tyre ka qenë e lidhur me banda të organizuara kriminale./FrontOnline/