Policia e Kosovës ka bërë të ditur se ka konfiskuar një armë e cila dyshohet se është përdorur të hënën gjatë një përleshje të disa nxënësve në Mitrovicë
Përmes një njoftimi, policia ka bërë të ditur se arma është gjetur mesditën e sotme.
“Sekuestrohet një armë që dyshohet të jetë përdorur në rastin e përleshjes të ndodhur një ditë më parë në Mitrovicë. Si rezultat i hetimeve intensive, hetuesit në kuadër të stacionit policor ‘Jugu’ në Mitrovicë, në orët e mesditës së sotme kanë arritur që nga njëri nga të dyshuarit e rastit të djeshëm të gjejnë dhe të sekuestrojnë një armë të llojit pistoletë, e cila dyshohet se është përdorur një ditë më parë në rastin e përleshjes ndërmjet disa të rinjve”, bën të ditur policia.
Policia ka theksuar se ka intervistuar të dyshuarin të cilit i është gjetur arma dhe është liruar në procedurë të rregullt.
“I dyshuari nga i cili është marrë arma është intervistuar, më pas është liruar për procedurë të rregullt, ku ndaj tij është iniciuar rast për ‘përdorim të armës’, ‘armëmbajtje pa leje’ dhe ‘shkaktim i rrezikut të përgjithshëm’”, thekson policia.
Përleshja në mes katër gjimnazistëve në Mitrovicë ka ndodhur mëngjesin e së hënës. Si pasojë e përleshjes, një i ri kishte mbetur i lënduar.
Policia në vendin e ngjarjes kishte gjetur një gëzhojë plumbi dhe ishte vënë në kërkim të armës e cila dyshohej se ishte përdorur në këtë rast./Front Online/