Gjashtë raste të dhunës janë raportuar vetëm gjatë të dielës në rajonet e Kosovës.
Në Prishtinë, një burrë është arrestuar pasi ka sulmuar fizikisht ish-të dashurën e tij. Gruaja ka marrë trajtim mjekësor, ndërsa i arrestuari është dërguar në mbajtje me vendim të prokurorit.
Po ashtu, në kryeqytet një grua është sulmuar fizikisht nga bashkëshorti pas një mosmarrëveshjeje. Burri është shoqëruar në polici dhe rasti është proceduar në procedurë të rregullt me vendim të prokurorit.
Dy raste të tjera janë raportuar në Fushë Kosovë. Në njërin prej tyre, një burrë ka sulmuar fizikisht gruan e tij pas një mosmarrëveshjeje. Gruaja ka marrë trajtim mjekësor, ndërsa burri është në arrati.
Në rastin tjetër në Fushë Kosovë, një burrë ka ushtruar dhunë psikike ndaj gruas së tij. Pas intervistimit në polici, rasti është proceduar në procedurë të rregullt.
Një tjetër rast i dhunës në familje është raportuar në Rahovec. Një grua është dërguar në emergjencë pasi dyshohet se ka konsumuar medikamente dhe detergjentë pas një konflikti me bashkëshortin. Burri është arrestuar dhe dërguar në mbajtje me vendim të prokurorit.
Ndërkohë, në Gjakovë është raportuar edhe një rast tjetër. Një burrë është arrestuar pasi ka sulmuar fizikisht bashkëshorten e tij. Me vendim të prokurorit, ai është dërguar në mbajtje.