Pesë vite më parë Kuvendi i Kosovës, pas një trysnie të pashembullt mbi deputetët, miratoi ndryshimet kushtetuese, me të cilat u mundësua themelimi i Dhomave të Specializuara të Kosovës apo siç njihet tashmë me emërtimin “Gjykata Speciale”.
Pas një hetimi të gjatë, ajo tashmë ka ngritur aktakuzat e para dhe ka prangosur ndër të tjerë edhe Presidentin e Kosovës dhe dy ish-Kryetarë të Kuvendit të Kosovës në legjislatura të ndryshme.
Në një lexim të shpejtë të aktakuzave të para, mund të vish në këto përfundime:
E para:
Themelimit të gjykatës speciale i ka paraprirë raporti që mbanë emrin e politikanit zviceran Dick Marty, e që në fakt është një sajesë e shërbimit të fshehtë serb, të cilin ai e ka pranuar përmes ambasadorit të Serbisë në Zvicër Milan St. Protiq.
Mbi UÇK-në u ngrit një mal me akuza, e më e rënda prej tyre kishte të bënte me tregtimin me organe njerëzore. Pretendohej se serbëve të zënë rob,UÇK-ja ua paska hequr organet dhe i paska shitur ato në treg, sikur ato të kishin qenë pjesë këmbimi për makina.
Dëmi që iu bë Kosovës dhe pavarësisë së saj është i pallogaritshëm.
Asnjë nga këto pretendime nuk figurojnë në aktakuzat e ngritura deri më tani nga Gjykata Speciale. Megjithatë edhe pse dështimi i faktimit të këtyre akuzave është pritur nga shumëkush, ato kanë arritur efektin për të cilin edhe janë lansuar. Kosova për pesë vite rresht është mbajtur në bankë të të akuzuarve, pasi mbi UÇK-në rëndonin dyshime për krime më të tmershme të dëgjuara ndonjëherë. Ky efekt vazhdon të rëndojë shtetin e ri të Kosovës, pasi akoma asnjë gjykatë nuk ka treguar se ato akuza ishin thjesht një fabrikim.
E dyta:
Nga aktakuzat e publikuara deri më tani, duket qartë që Gjykata Speciale nuk e merr parasysh historinë e Kosovës, përkatësisht nuk i merr parasysh shkaqet që çuan deri te themelimi i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Ajo nuk i njeh rrethanat e aparteidit që mbretëronin në Kosovë në fillim të viteve të 90-ta. Nuk e merr parasysh jetën e padurueshme në Kosovën e pushtuar, në të cilën fakti se kishe lindur shqiptar përbënte një sfidë e vërtetë të jetës, meqë përballeshe me diskriminim, përndjekje, burgosje e me shumë lehtësi edhe mund të vriteshe pa dhënë llogari askush për këto.
Kosova nuk u trajtua në asnjë konferencë ndërkombëtare për ish-Jugosllaninë. Statusi i saj ishte ulur në nivelin e respektimit të të drejtave të njeriut, për të cilin flisnin organizatat humanitare, por më shumë se kaq nuk kishte ndonjë lëvizje serioze.
Lindja e UÇK-së ka qenë një domosdoshmëri e kohës, në luftën tonë për mbijetesë.
E treta:
Ta trajtosh UÇK-në si ndërmarrje e përbashkët kriminale, do të thotë ta mohosh luftën për liri. E pafalshme është kur UÇK-ja trajtohet sikur të ishte një bashkim mafioz për të eliminuar kundërshtarët politik me qëllim kriminal.
Kjo është e papranueshme dhe për këtë gjë, institucionet e Kosovës duhet të flasin shumë zëshëm.
UÇK-ja është bashkim i njerëzve liridashës, me qëllimin më fisnik e idealin më të lartë për liri. Ta trajtosh këtë organizim si kriminal, nuk ka fyerje më të rëndë për të gjithë ata pjesëtarë të saj, një pjesë e madhe e të cilëve kanë rënë në luftë me idealin më të lartë për liri, si Adem Jashari, Zahir Pajaziti, Edmond Hoxha, Fehmi Lladrovci, Bekim Berisha etj.
E katërta:
Kur në aktakuzë përmenden grupet që paskan qenë target i kësaj “ndërmarrje kriminale” flitet për serbë, romë dhe katolikë.
Kjo është pikërisht ajo që makineria propagandistike serbe ka proklamuar e përsëritur në vazhdimësi, me qëllim që të fshehë arsyet e vërteta të kryengritjes dhe ta paraqesë këtë sikur UÇK-ja është një organizim kriminal, me orientim fundamentalist islamik, që ka për qëllim eliminimin e katolikëve e pjestarëve të besimeve tjera fetare.
E neveritshme është kjo akuzë kur kihet parasysh se pjesëtarë të UÇK-së kanë qenë pa dallim feje e ideologjie. Një numër i madh i atyre pjesëtarëve kanë qenë pikërisht të besimit katolik.
E dihet botërisht se UÇK-ja nuk ka pasur në shënjestër civilët, por forcat okupuese serbe të cilat po e mbanin Kosovën nën pushtim dhe po bënin spastrimin etnik të saj.
E pesta:
Gjykata speciale nuk i merr parasysh vrasjet e mbi dhjetë mijë shqiptarëve, dhunimet seksuale të mbi njëzet mijë femrave shqiptare, spastrimin etnik të Kosovës me dëbimin e shumicës dërmuese të shqiptarëve dhe asgjësimin e dokumenteve të identifikimit, shkatërrimin e 100589 shtëpive, të 88101 objekteve përcjellëse, të 358 shkollave, të 30 shtëpive kulturore, të monumenteve historike, të 93 bibliotekave, të 123 institucioneve shëndetësore dhe të 220 objekteve të kultit fetar (xhami, teqe, tyrbe dhe kisha katolike).
Me një fjalë Gjykata speciale nuk e merr parasysh gjenocidin që forcat serbe kanë ushtruar në Kosovë gjatë viteve 1998-1999.
Të gjitha këto fakte i obliguan shtetet demokratike perëndimore, të prira nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës që të ndërhyjnë ushtarakisht, në mënyrë që të ndërpresin gjenocidin ndaj shqiptarëve.
E gjashta:
Gjykata Speciale është themeluar të gjykojë vetëm shqiptarët, pra ata që kanë qenë viktima të këtij gjenocidi, kurse kriminelët e vërtetë, përgjegjës për krime monstruoze ndaj shqiptarëve, politikanë e ushtarakë në Serbi që drejtojnë shtetin serb sot, i amniston.
A ka një rast tjetër në botë ku një gjykatë mund të mos marrë në përgjegjësi një kriminel, meqenëse ai i takon një etnie tjetër?
Është vërtetë për tu çuditur se si është e mundshme që në Evropën e të drejtave të barabarta të ketë mundësi të funksiponojë një gjykatë e tillë diskriminuese në bazë etnike.
Mosmarrja parasysh e këtyre fakteve nga gjykata speciale, e themeluar nga institucionet e Kosovës si pjesë të legjislacionit të saj, është një fyerje e rëndë për të gjitha viktimat e gjenocidit.
Mesazhi që përçohet me këtë rast, përbën një precedent që nuk guxon të anashkalohet:
Pa njohjen dhe dënimin e gjenocidit ndaj shqiptarëve në Kosovë, nuk mund të ketë kurrë pajtim e as drejtësi, e mbi të gjitha nuk mund të ketë garancion se në të ardhmen kjo nuk do të përsëritet.
(Adnan Asllani ka qenë aktivist i Lëvizjes Popullore të Kosovës dhe krijues i emblemës së UÇK-së)