Qeveria “Hoti” nuk po arrin t’i bëjë numrat për kalimin e shumë Projektligjeve që janë vitale për jetën e qytetarëve.
I tillë ka qenë rasti me votimin e Projektligjit për Rimëkmbëje Ekonomike, ku legjislativi as për të gjashtën herë nuk e votoi atë.
Mungesa e kuorumit dhe e votave të mjaftueshme për të kaluar Projektligjet e ka vështirësuar punën e kësaj Qeverie.
E, qytetarët e Kosovës fajësojnë udhëheqësit e Qeverisë për situatën e krijuar derisa konsiderojnë se vendi duhet të shkoj në zgjedhje.
Një nga këta qytetarë, veprimet e klasës politike i konsideron si pazare.
“Mendimi është që në këto rrethana të shkohet në zgjedhje, sepse më duket diçka nuk është në rregull kjo formë dhe ky lloj pazari politik e atyre që e kanë marrë votën e qytetarëve”, tha Nuhi Bunjaku.
Një tjetër qytetare thotë se duhet të merret parasysh vullneti i shumicës që vendi të shkojë në zgjedhje.
“Vullneti i qytetarëve duhet të respektohet. Pasi qytetarët po kërkojnë që të shkohet në zgjedhje pse mos të shkojmë në zgjedhje ”, thotë Nazlije Badini
E dikush tjetër ka pak shpresa edhe nëse vendi shkon në zgjedhje.
“Më së miri mos me u marrë me politikë, ata e dinë më së miri se qysh bëhet. Po e shihni edhe vet asgjë nuk po shkon qysh duhet .Edhe me u bë zgjedhjet prapë njëjtë do të jetë”, u shpreh Abdurrahman Krasniqi
Por, ka edhe të atillë që me këmbëngulje kërkojnë mbajtjen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme.
“Jo duhet të shkojmë në zgjedhje”, ka thënë Hajriz Pllana
“Mendimi im është që duhet shkuar në zgjedhje, gjithqysh”, u shpreh Islam Ajeti
“Mendimi im është që duhet shkuar në zgjedhje”, ka thënë Esat Uka
E dikush ende nuk e kupton se si qytetarët e votojnë dikë, ndërsa në pushtet vjen dikush tjetër.
“Mos të bëhet koalicion me askënd, por të shkohet në zgjedhje, se boll ma, kjo dallavere e madhe, shumë e madhe, katastrofë. Populli kur të reagon, e voton dikë e vjen dikush tjetër në pushtet, kjo është idiotizëm”, tha Sali Sejdaj
E për dikë tjetër është e udhës që PDK- ja t’i kthehet qeverisë.
“Nuk është koha më shku në zgjedhje, më mirë më shku në koalicion PDK-ja edhe me vazhdu tutje”, u shpreh Zymer Mustafa