Ish-futbollisti i disa skuadrave të Kosovës, Gëzim Gashi, ka vendosur të pensionohet nga futbolli aktiv.
Ky vendim nga Gashi erdhi pas 25 vjetëve karrierë në skuadra brenda dhe jashtë Kosove.
“E kam ditur qysh në fillim që ky do të ishte viti im i fundit në futboll por nuk ia kam thënë askujt. E kam parë si një mision dhe mundësi të fundit që të bëjë diçka më shumë për futbollin e Hajvalisë. Fatmirësisht, me angazhimin e bashkëlojtarëve, drejtimin e trajnerëve dhe fatin që na përcolli, arritëm që të shpalleshim kampion dhe të inkuadrohemi në Ligën e Dytë. Tash, ka shumë mënyra më të mira për ta përfunduar karrierën, por, edhe në këtë mënyrë, sadopak me një sukses domethënës për një klub të ri të vendlindjes time, jam i kënaqur” – ka thënë mes tjerash Gashi për faqen “Hajvalia”.
Gëzim Gashi së fundmi luajti te KF Shkëndija e Hajvalisë, skuadër e cila siguroi inkuadrimin në Ligën e Dytë.
Gashi në të kaluarën ka luajtur edhe për Flamurtarin, Hysin, Besianën, Hajvalinë, Flamurtarin e Dritës. Gjithashtu ai ka bërë karrierë edhe në Finlandë, te skuadra AC Oulo në Ligën e Dytë.