×
  • Lajme
  • Lajme

    Gërvalla në Lituani, dështon seanca në rastin ku akuzohet për mosdeklarim të pasurisë

    FrontOnline
    07 Nëntor 2024

    Për shkak se Donika Gërvalla, ministre e Punëve të Jashtme dhe Diasporës dhe zëvendëskryeministre gjendet në vizitë zyrtare jashtë vendit, ka dështuar të mbahet seanca e së enjtes ndaj saj në Gjykatën Themelore në Prishtinë.

    Ministrja Gërvalla ngarkohet se në cilësinë e zyrtares së lartë publike, në formularin për deklarim të pasurisë më 22 mars 2021, nuk ka paraqitur saktë të dhënat e kërkuara me ligj, raporton “Betimi për Drejtësi”.

    Mbrojtësi i të akuzuarës Gërvalla, avokati Arianit Koci, e ka njoftuar gjykatësin Dibran Jusufi se e akuzuara Gërvalla nuk ka mundur të jetë prezente në këtë seancë për shkak të një vizite zyrtare jashtë vendit.

    Po ashtu, i njëjti ka kërkuar që seanca të caktohet për një datë tjetër, atëherë edhe e akuzuara Gërvalla do të jetë prezente.

    Lidhur me këtë, prokurori Paulin Pashku, ka thënë se sipas Kodit të Procedurës Penale ka mundësi ligjore që të vazhdojë shqyrtimi gjyqësor në mungesë të të pandehurës, por që nëse e pandehura do të paraqitet në seancën tjetër, atëherë nuk e kundërshton propozimin e avokatit Koci.

    Më pas, gjykatësi Jusufi konstatoi se në mungesë të të akuzuarës Gërvalla nuk janë plotësuar kushtet për mbajtjen e kësaj seance.

    Ndryshe, MPJD-ja ka njoftuar se Gërvalla do të marrë pjesë në Forumin e Lartë për të Ardhmen e Demokracisë, që do të mbahet më 7 dhe 8 nëntor 2024 në Vilnius, Lituani, me ftesë të Ministrit të Punëve të Jashtme të Lituanisë, Gabrielius Landsbergis.

    Gjykata Themelore në Prishtinës më 19 qershor 2024 kishte konfirmuar aktakuzën për mosraportim të pasurisë ndaj Gërvallës, duke refuzuar kërkesën për kundërshtim të provave dhe hudhje të aktakuzës.

    Më pas, Gjykata e Apelit, e ka refuzuar si të pabazuar ankesën e mbrojtjes së Gërvallës, duke vërtetuar aktvendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë, me të cilin ishte konfirmuar aktakuza ndaj saj.

    Lidhur me akuzën për mosraportim të saktë të pasurisë, në seancën fillestare më 7 mars 2024, Gërvalla ishte deklaruar e pafajshme.

    Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Prishtinë, të përpiluar më 31 janar 2023 nga prokurori Astrit Gashi, Gërvalla ngarkohet se në cilësinë e zyrtares së lartë publike me obligim ligjor të deklarimit të pasurisë, në formularin për deklarim të pasurisë më 22 mars 2021, nuk ka paraqitur saktë të dhënat e kërkuara me ligj.

    Aktakuza thotë se e njëjta në këtë formular nuk ka deklaruar asnjë të hyrë-të ardhur të bashkëshortit të saj Stefan Schwarz edhe përkundër se të njëjtin e ka deklaruar si bashkëshort.

    Tutje, në akuzë thuhet se Gërvalla nuk ka deklaruar në tërësi parcelën kadastrale-toka bujqësore në pronësi të saj në sipërfaqe prej 3964 m2 në ZK Dubovik-Komuna e Deçanit, duke e deklaruar vetëm sipërfaqe prej 2000 m2.

    Po ashtu, Gërvalla sipas akuzës thuhet se nuk ka deklaruar as biznesin “Alb Lingua UG” e regjistruar në Bon të Gjermanisë në emër të saj.

    Me këto veprime, Gërvalla akuzohet se ka kryer veprën penale “Mosraportimi ose raportimi i rremë i pasurisë, i të ardhurave, i dhuratave, i dobisë tjetër materiale ose i detyrimeve financiare”, nga neni 430, paragrafi 2 të Kodit Penale të Republikës së Kosovës.

    Ndryshe, Prokuroria Themelore në Prishtinë, më 29 maj 2023 kishte konfirmuar për “Betimi për Drejtësi” se ka ngritur aktakuzë ndaj Gërvallës.

    “Referuar kërkesës së parashtruar nga ana juaj, ju njoftojmë se Prokurori i Shtetit, më 31.01.2023, ka ngritur aktakuzë ndaj D.G., për shkak të veprës penale “Mos raportimi ose raportimi i rremë i pasurisë, i të ardhurave, i dhuratave, i dobisë tjetër materiale ose i detyrimeve financiare”, sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës, si dhe të njëjtën e ka proceduar në Gjykatë për trajtim të mëtejmë”, kishte konfirmuar zëdhënësja e kësaj prokurorie, Laureta Ulaj.

    Pasi u bë i ditur lajmi për ngritjen e aktakuzës, ministrja Gërvalla përmes një postimi në Facebook, tha se është përpjekje për të hedhur baltë mbi përfaqësuesit e institucioneve.

    Ndryshe, më 2 tetor 2021, “Betimi për Drejtësi” ka raportuar se Donika Gërvalla, zëvendëskryeministre dhe ministre e Punëve të Jashtme dhe e Diasporës (MPJD), nuk ka deklaruar të gjitha funksionet në institucione vendore e ndërkombëtare.

    Katër muaj pas këtij hulumtimi, Agjencia Kundër Korrupsion (AKK), tani Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit (APK), kishte njoftuar se është ende duke trajtuar rastin e ministres Gërvalla.

    Sipas këtij hulumtimi, rezultoi se Gërvalla nuk ka deklaruar se posedon biznes në Gjermani, nuk ka treguar se është drejtoreshë e një fondacioni në Kosovë dhe as nuk ka deklaruar pasurinë e burrit dhe fëmijëve të saj.

    Nga Rubrika
    Lajme07 Nëntor 2024
    Presidentja Vjosa Osmani ka thënë se nuk do të ketë takim me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq në Budapest të Hungarisë. Në konferencë...
    Lajme07 Nëntor 2024
    Kryetari i Komunës së Lipjanit, Imri Ahmeti i shoqëruar nga bashkëpunëtorët e tij, ka pritur sot në takim ambasadorin e Britanisë së...
    Lajme07 Nëntor 2024
    Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka dalë njoftim për afatet për aplikim për akreditimin e vëzhguesve dhe mediave për zgjedhjet për Kuvendin...
    Të tjera
    Bota/Rajoni07 Nëntor 2024
    Qeveria e Australisë është zotuar të prezantojë atë që e përshkroi si legjislacion “udhëheqës në botë” për të ndaluar përdorimin e mediave...
    Kronika07 Nëntor 2024
    Një i mitur është sulmuar fizikisht nga një i mitur tjetër në Obiliq. Sipas raportit policor, viktimës i është ofruar tretman mjekësor,...
    Bota/Rajoni07 Nëntor 2024
    Ish-presidenti amerikan Barack Obama bashkë me gruan e tij Michele e kanë uruar Donald Trump për zgjedhjen si president i Shteteve të...
    Lajme07 Nëntor 2024
    Ish-kryenegociatorja e dialogut Kosovë-Serbi, Edita Tahiri, pas fitores së Donald Trump në zgjedhjet presidenciale në ShBA, ka thënë se kanë nisur spekulime...
    Kronika07 Nëntor 2024
    Dy persona kanë ndërruar jetë në 24 orët e fundit në Kosovë, si pasojë e aksidenteve. Kjo sipas të dhënave të Policisë...
    Kronika07 Nëntor 2024
    Është vetëdorëzuar në stacion policor në Prishtinë një person që dyshohej për organizim dhe pjesëmarrje në grup terrorist nga viti 2013. I...

    FrontOnline, © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara.