Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, ka pritur në takim ambasadoren jorezidente të Kanadasë në Kosovë, Jessica Blitt, me të cilën kanë diskutuar për marrëdhëniet diplomatike ndërmjet dy vendeve, sfidat e sigurisë në rajon dhe rolin mbështetës të Kanadasë për paqen dhe stabilitetin në Ballkan.
Gërvalla, ka shprehur mirënjohjen për mbështetjen e vazhdueshme të Kanadasë ndaj Kosovës dhe përkushtimin për të forcuar më tej marrëdhëniet ndërshtetërore përmes bashkëpunimeve të reja.
Ajo theksoi se ky bashkëpunim synon jo vetëm politikën e jashtme, por edhe në fusha si ekonomia, arsimi dhe teknologjia.
“Investimet strategjike dhe projektet e përbashkëta në sektorët ekonomik, kulturor dhe të sigurisë u vlerësuan si mundësi konkrete për të avancuar më tej bashkëpunimin mes dy vendeve, me mërgatën tonë si një garanci për marrëdhënie të fuqishme mes Kosovës dhe Kanadasë”, thuhet në njoftimin e MPJD-së.