Kryeministri i vendit, Albin Kurti së bashku me ministren Donika Gërvalla-Schëarz dje kanë pritur ambasadorët dhe diplomatët e akredituar në Republikën e Kosovës, ku si fokus primar i këtij takimi ishte adresimi i sulmit të fundit terrorist në Policinë e Kosovës.
Me anë të postimit në llogarinë e saj në platformën X, sot Gërvalla shprehet se ata theksuan përkushtimin e Kosovës për bashkëpunim dhe përpjekje të koordinuara me partnerët dhe aleatët tanë, si dhe që vendi mbetet i përkushtuar për të shërbyer si forcë për paqe dhe stabilitet të qëndrueshëm në rajonin tonë dhe më gjerë.
“Theksuam se institucionet e Kosovës edhe një herë treguan përkushtimin e tyre për profesionalizëm dhe maturi. Qeveria përsëriti përkushtimin e saj të palëkundur për t’i shërbyer të gjithë qytetarëve pa dallim, duke ruajtur integritetin tonë territorial dhe sigurinë kombëtare”, shkroi Gërvalla.
Tutje ajo shtoi se i kanë bërë thirrje bashkësisë ndërkombëtare që të denoncojë fuqishëm veprimet destabilizuese të institucioneve shtetërore serbe dhe degëve brenda Republikës së Kosovës dhe se dhanë azhurnime gjithëpërfshirëse për situatën e sigurisë në vendin tonë dhe prezantuan qëndrimin zyrtar të Republikës së Kosovës lidhur me sulmin e tmerrshëm terrorist të 24 shtatorit në Banjskë.