Deputetja e Kuvendit të Kosovës nga radhët e LDK-së, Marigona Geci ka treguar se pse ka tërhequr nënshkrimin për mbajtjen e seancës së jashtëzakonshme për miratimin e Projektligjit për Rimëkëmbje ekonomike, të iniciuar nga PDK.
Geci ka thënë se nënshkrimin e ka tërhequr për shkak të konfirmimit të aktakuzës ndaj ish-kreut të PDK-së, Kadri Veseli.
“Ju vuajtjet tona na i keni marrë si ligësi, por tani do të ju tregoj se nuk jemi të dobët. E kam tërhequr nënshkrimin nga iniciativa e PDK-së, pasi që tash e di saktë se është një aktakuzë për ish-kryetarin e partisë tuaj, të dyshuar për vrasje të pas luftës. Ju keni menduar se ne nuk kemi guxim të përballemi me të vërtetën”, tha ajo.
Geci shtoi tutje se “Ne nuk frikësohemi të përmendim viktimat që janë vrarë nga një grup kriminelësh që janë thirrur në emër të luftës”.
Deputetes Geci i është ndërprerë fjala, pasi që kryesuesja e Kuvendit tha se ajo nuk po i përmbahet rregullores./FrontOnline/