Kryetari i Shoqatës së Dëshmorëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Gazmend Syla, ka reaguar ashpër ndaj kryeministrit Albin Kurti, duke e akuzuar atë se nuk e njeh Luftën Çlirimtare të Kosovës dhe nuk ka asnjë respekt për luftëtarët dhe bartësit e organizimit çlirimtar.
‘’Albin Kurti nuk e njeh Luftën Çlirimtare të Kosovës, dhe nuk ka asnjë respekt për luftëtarët, dhe bartësit e organizimit çlirimtar’’, tha Syla për FrontOnline.
Sipas Sylës, qëndrimi i Kurtit ndaj këtyre grupeve tregon se ai nuk e njeh as Republikën që e drejton, pasi kjo e fundit është ngritur mbi sakrificat e Dëshmorëve të UÇK-së.
Ai theksoi se Kurti është vazhdimisht në kërkim të një “Republike të Tretë”, të ndërtuar mbi agjendat e tij majtiste, që nuk i jep rëndësi as historisë dhe as kontributit të atyre që dhanë jetën për lirinë e Kosovës.
‘’ Si pasojë, Kurti nuk e njeh as Republikën që e drejton, sepse e njëjta është ngritur mbi Dëshmorët e UÇK-së, dhe vazhdimisht është në kërkim të “Republikës së Tretë”, të ndërtuar mbi agjendat e tij majtiste’’, tha Syla për FrontOnline.
Ky i fundit e kujtoi faktin se janë 29 muaj që kur Albin Kurti ka bashkuar votat me Listën Serbe për të kaluar një Ligj që ka lënë veteranët e luftës jashtë pagës minimale. Ai theksoi se, nga ajo kohë, çdo veteran i luftës do të kishte marrë 4.930 euro më shumë, një shumë që do të ishte shumë e nevojshme për përballimin e dimrit të ftohtë, sidomos në kushtet e vështira të furnizimit me energji elektrike, të cilat janë shtrenjtuar disa herë që nga ardhja e Qeverisë Kurti.
‘’ U bënë 29 muaj prej kur Albin Kurti, bashkoi votat me Listën Serbe për të na lënë ne luftëtarëve të lirisë, jashtë pagës minimale. Nga ajo datë deri më sot, çdo veteran do të merrte 4.930 euro më shumë, e ato para do të ishin të mirëseardhura në këtë dimër të ftohtë, marrë parasysh gjendjen e keqe në furnizimin me energji, të cilën na shtrenjtuan disa herë që kur erdhi kjo qeveri’’, theksoi Syla.
Për më tepër, Syla e akuzoi Qeverinë Kurti për shpërdorim të fondeve publike, duke theksuar se, ndërkohë që “sejmenët” e Kurtit janë duke u përballur me gjyqe, po del në pah se vjedhjet nga kjo qeveri janë qindra milionëshe
‘’ Ndërkohë, kur sejmenët e Kurtit po përballen me gjyqe, po qartësohet se vjedhjet e kësaj qeverie janë qindra milionëshe’’, përfundoi Syla.
Pakënaqësi të mëdha me rritjen minimale të pensioneve, jep dorëheqje kreu i Pensionistëve të Kosovës