×
  • Lajme
  • Lajme

    Gazi lotsjellës më 2015 në Kuvend – Konjufcës, Lekajt, Baftiut dhe Dërgutit u parashkruhet një vepër penale

    FrontOnline
    26 Tetor 2024

    Vepra penale “Pengim i personit zyrtar në kryerjen e detyrave zyrtare” nga neni 409, paragrafi 1 i Kodit Penal në aktakuzën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë të datës 22 shkurt 2016 ndaj kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, deputetit Pal Lekaj, si dhe ish-deputeteve Besa Baftiu dhe Aida Dërguti, është parashkruar më 14 dhjetor 2021.

    Në këtë rast, kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, deputetët Pal Lekaj dhe Time Kadrijaj, si dhe ish-deputetet Besa Baftiu, Aida Dërguti dhe Teuta Haxhiu, akuzohen për rastin e hedhjes së gazit lotsjellës në objektin e Kuvendit në dhjetor të vitit 2015.

    Konjufca, Lekaj, Baftiu dhe Dërguti akuzohen se më 14 dhjetor 2015 rreth orës 10:00 pasi që përdorin gazin lotsjellës, duke pamundësuar qëndrimin e deputetëve brenda sallës së Kuvendit dhe Kryesisë për miratimin e ligjeve sipas rendit të ditës, përkundër vullnetit të deputetëve të cilët nuk kanë mundur t’i rezistojnë atmosferës së krijuar, për çka ka pasur ndërprerje të punimeve dhe zhvendosje të deputetëve nga sallat plenare.

    Andaj me këto veprime, të njëjtit ngarkohen për veprën penale “Pengim i personit zyrtar në kryerjen e detyrave zyrtare” nga neni 409, paragrafi 1 i Kodit Penal të Kosovës (KPK).

    Prandaj, duke u nisur nga data se kur është kryer vepra penale nga të akuzuarit, konkretisht 14 dhjetor 2015 dhe bazuar në Kodin Penal, ku në nenin 106 përcaktohet çështja e parashkrimit të veprave penale, del se kjo vepër është parashkruar më 14 dhjetor të vitit 2021.

    Vepra penale “Pengim i personit zyrtar në kryerjen e detyrave zyrtare” nga neni 409, paragrafi 1 i Kodit Penal të Kosovës, të vitit 2012, parasheh dënueshmërinë prej 3 muaj deri në 3 vite burgim.

    “Kushdo që me forcë apo kanosje serioze, pengon ose tenton të pengojë personin zyrtar në kryerjen e detyrave zyrtare ose duke përdorur mjetet e njëjta e detyron atë të kryejë detyrën zyrtare, dënohet me burgim prej tre (3) muaj deri në tre (3) vjet”, thuhet në nenin 409 të KPK-së.

    Andaj, duke llogaritur afatin e parashkrimit, del se parashkrimi relativ i këtyre veprave bëhet pas 3 viteve, ndërsa parashkrimi absolut bëhet pas 6 viteve nga kryerja e veprës penale.

    “tre (3) vjet nga kryerja e veprës penale të dënueshme me më shumë se një (1) vit burgim” thuhet në kapitullin e dhjetë, neni 106, pika 1.5, që flet për parashkrimin relativ të ndjekjes penale.

    Afër parashkrimit, për të akuzuarat Teuta Haxhiu dhe Time Kadrijaj del të jetë edhe vepra penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” nga neni 374, paragrafi 1 të Kodit Penal, e cila si vepër penale parasheh dënim me gjobë deri në 7 mijë e 500 euro ose me burgim deri në 5 vjet.

    Parashkrimi relativ për këtë vepër penale del të jetë 5 vjeçar, ndërkaq ai absolut 10, duke rrezikuar kështu që më 15 dhjetor 2025 të parashkruhet si vepër penale, pasi që vepra sipas aktakuzës është kryer më 15 dhjetor 2015.

    “Pesë (5) vjet nga kryerja e veprës penale të dënueshme me më shumë se tre (3) vjet burgim”, thuhet në kapitullin e dhjetë, nenin 106, pika 1.4 të KPK-së, që flet për parashkrimin relativ të ndjekjes penale.

    Ndërkaq, vepra penale “Përdorim i armës apo mjetit të rrezikshëm” nga neni 375, paragrafi 1 të KPK-së me të cilën ngarkohen Konjufca, Lekaj, Baftiu dhe Dërguti, e cila vepër parasheh dënueshmërinë me burgim prej një deri në tetë vjet, mund të parashkruhet më 14 dhjetor 2035.

    Kjo pasi që parashkrimi relativ për këtë vepër penale është 10 vjet, ndërkaq ai absolut 20 vjet.

    “dhjetë (10) vjet nga kryerja e veprës penale të dënueshme me më shumë se pesë (5) vjet burgim”, thuhet në kapitullin e dhjetë, nenin 106, pika 1.3 të Kodit Penal që flet për parashkrimin relativ të ndjekjes penale.

    Në çfarë faze gjendet procesi gjyqësor ndaj gjashtë të akuzuarve?

    Më 23 tetor 2024 ishte caktuar seanca për mbajtjen e shqyrtimit fillestar, mirëpo për shkak të mungesës së Konjfucës, Lekajt, Kadrijajt, Baftiut e Dërgutit, seanca dështoi.

    Lidhur me këtë aktakuzë, “Betimi për Drejtësi” ka dërguar pyetje në adresë të Gjykatës Themelore në Prishtinë për të kuptuar se cili gjykatës/e e ka pasur lëndën në shqyrtim, sa seanca ka caktuar prej ngritjes së aktakuzës, sa kanë dështuar e cilat janë arsyet e dështimit të tyre, mirëpo deri në publikimin e këtij artikulli, nuk kemi pranuar përgjigje./betimiperdrejtesi/

    Nga Rubrika
    Lajme26 Tetor 2024
    Të dielën akrepat e orës do të kthehen 60 minuta pas. Akrepat do të lëvizin prapa me një orë në 03:00, natën...
    Lajme26 Tetor 2024
    Liderët e partive në vend i kanë shpeshtuar vizitat jashtë vendit duke u takuar me bashkatdhetarë, për të kërkuar nga ta votat...
    Lajme26 Tetor 2024
    Një automjet me targa zvicerane është ndaluar në Bjeshkën e Shtedimit në Pejë dje më 25 tetor, në të ishin dy shtetas...
    Të tjera
    Kronika26 Tetor 2024
    Një grua në Malishevë ka raportuar se është kanosur nga bashkëshorti i saj në një market, edhe pse e njëjta kishte urdhër...
    Lajme26 Tetor 2024
    Analisti politik, Dritëro Arifi, për FrontOnline, thotë se punësimi i partiakëve, nuk është më diçka e pazakonshme, pasi sipas tij, ky është...
    Kronika26 Tetor 2024
    Policia ka arrestuar një të mitur në Podujevë, meqë dyshohet se i njëjti e ka therrur me thikë një të mitur tjetër...
    Lajme26 Tetor 2024
    Policia e Kosovës ka njoftuar se do të ketë ndërprerje të përkohshme të qarkullimit të trafikut në disa segmente rrugore dhe në...
    Lajme26 Tetor 2024
    Partia Demokratike e Kosovës ka paralajmëruar se do të mbajë një konferencë për sot 26 tetor. Në njoftimin e lëshuar për media...
    Bota/Rajoni26 Tetor 2024
    Një dron rus e ka goditur një ndërtesë banimi në Kiev mbrëmjen e së premtes, pak pasi ranë sirenat për të paralajmëruar...

    FrontOnline, © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara.