Arrestimi i ish-drejtuesve më të lartë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe përballja e tyre me Gjykatën e Hagës ka qenë temë kryesore pothuajse në të gjitha mediat shqiptare, por jo vetëm.
Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, dy ish-kryeparlamentarët Jakup Krasniqi, Kadri Veseli, por edhe deputeti i VV-së Rexhep Selimi akuzohen nga “Specialja” për krime lufte, ndalim të paligjshëm ose arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe krime kundër njerëzimit, të cilat, sipas Dhomave të Specializuara, janë kryer midis marsit të vitit 1998 dhe shtatorit 1999.
Në vitin 2011 Raporteri i Këshillit të Europës, Dick Marty nxori raportin e shumëdebatuar për shtëpinë e verdhë në zonën e Burrelit, në Shqipëri, nën akuzën se UÇK-ja kishte bërë trafik të organeve njerëzore.
Ky raport më pas çoi në themelimin e Gjykatës Speciale në Kosovë për të hetuar krimet e mundshme gjatë luftës. Gazetari Ben Andoni i ftuar në emisionin “Ilva Now” në Euronews Albania tha se është absurde të besohet raporti i Dick Martyt.
Ai tha se vetë kushtet që kishte shtëpia e verdhë, kjo e konsultuar dhe nga mjekë të njohur, nuk përmbushte asnjë kusht për të kryer transplantim organesh, siç pretendonte Dick Marty.
“Shtëpia ku kam qenë unë ishte e bardhë. Sipas pretendimeve të tij (Dick Marty) shtëpia ka qenë e verdhë. Ai ka pyetur shumë shqiptarë. Unë shkoj për të bërë një reportazh. Shtëpia kishte qenë me qira në kohën e luftës nga UÇK-ja. Megjithatë, të gjithë ato akuzat që janë ngritur dhe me kushtet që ishin në shtëpi ishte gati absurde”, tha ai.
Ai u shpreh se shumë njerëz janë gëzuar për dërgimin e ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, në Gjykatën e Hagës. Sipas tij, në ngritjen e akuzave për ish-funksionarët e UÇK-së kanë ndihmuar edhe vetë qytetarë të Kosovës, të cilët sipas tij kanë për qëllim të vendosin barriera të reja për vendin.
“Orë përpara të gjithë e dinin se Thaçi do të shkonte në Hagë, dhe të gjithë gëzonin, një pjesë e madhe njerëzve. Unë besoj se akuza është e ngopur me njerëz, të cilët nuk them se që duan të keqen, por duan pjesën tjetër që Kosovës t’i vënë barriera. Kosovarë janë këta. Kosova e kishte shumë të vështirë të bënte gjykata. Unë kam qenë në Kosovë në vitin 2005. Shumica e njerëzve të LDK, të cilët kanë të vrarë, në dosjet e këtyre njerëzve janë dëshmitë e tyre. Në Kosovë janë ushqyesit kryesorë të të gjitha akuzave. Është brenda edhe hakmarrja, pakënaqësia, lufta politike etj”, tha ai.